Drita – AZ Alkmaar, një duel për historinë e futbollit kosovar

Drita – AZ Alkmaar, një duel për historinë e futbollit kosovar

AZ Alkmaari është kundërshtari më i fortë që Drita ka në fazën e ligës së “UEFA Conference League”. Në shortin e madh të shtatorit, AZ u rendit në vazon e parë – madje i dyti vetëm pas Fiorentinës – ndërsa Drita në të katërtën. Por renditja e sotme i ka përmbysur pritshmëritë.

Të enjten në orën 18:45 në “Fadil Vokrri”, Drita dhe AZ Alkmaar luajnë një prej ndeshjeve më të rëndësishme të fazës së ligës, që i takon xhiros së pestë, pra të parafundit.

Drita, pa humbje dhe në pozitën e artë për një të tetën e finales

Pas katër xhirosh, kampionia e Kosovës renditet në top 8 të krejt garës.
Dy fitore, dy barazime, zero humbje dhe tetë pikë… një formë që e ka çuar klubin gjilanas në vendin e 8-të – vend që në fund të fazës së ligës të dërgon direkt në një të tetën e finales.

Drita ka bërë paraqitje të shkëlqyera:

• 1:1 në Finlandë ndaj KuPS
• 1:1 në Prishtinë ndaj Omonias
• 1:0 në Irlandë ndaj Shelbourne
• 1:0 në Prishtinë ndaj Shkëndijës

Vazhdimësia, organizimi dhe pragmatizmi kanë krijuar një skuadër që sot e frikëson edhe një emër si AZ Alkmaar.

AZ Alkmaar – favorit i madh në letër, i pasigurt në praktikë

Holandezët kanë pasur një rrugëtim shumë më të luhatshëm.
Me dy fitore dhe dy humbje, AZ ka vetëm gjashtë pikë dhe ndodhet në vendin e 20-të, një pozicion që të çon në plejof të fazës së nokautit.

Rezultatet e AZ:

• Humbje 4:0 në Qipro ndaj AEK Larnaca
• Fitore 1:0 në shtëpi ndaj Slovan Bratislavës
• Humbje 3:1 në Angli ndaj Crystal Palace
• Fitore 2:0 ndaj Shelbourne

Edhe pse favorit, AZ e nis shpesh dobët në udhëtime dhe kjo përbën shans të madh për Dritën.

Çfarë e pret Dritën?

• Me fitore, Drita afrohet jashtëzakonisht shumë me një të tetën e finales.
• Me barazim, mbetet në pozitë shumë të fortë para ndeshjes së fundit në Spanjë ndaj Rayo Vallecanos.
• Humbja e lë gjithçka të hapur, por sërish jo e përfunduar.

Në xhiron e gjashtë, më 18 dhjetor, Drita luan në Spanjë. Rayo Vallecano është skuadër e vazonit të dytë.

Çdo pikë e fituar të enjten vlen dyfish.

Elita holandeze vs. suksesi evropian i Dritës

AZ Alkmaar është aktualisht në vendin e pestë në Eredivisie, 15 pikë larg liderit PSV. Edhe sezonin e kaluar e mbylli në vendin e pestë.
Në letër, AZ është ekip me buxhet shumëfish më të madh, traditë evropiane dhe lojtarë të vlerësuar.

Por Drita, me pragmatizmin e saj dhe me një organizim perfekt në mbrojtje, ka treguar se nuk i frikësohet askujt.

Suksesi i Dritës tashmë është i madh – por mund të bëhet historik

Vetë pjesëmarrja në fazën e ligës është pikë kulmore për klubin.
Por mënyra si po luan Drita dhe pozita në tabelë e bëjnë të qartë një gjë:

Pse jo? Një të tetën e finales është më afër se kurrë më parë.