Nju Jorku nderon shqiptarët: Rruga në Staten Island merr emrin e heroit Isa Boletini

Nju Jorku nderon shqiptarët: Rruga në Staten Island merr emrin e heroit Isa Boletini

Në Staten Island të Nju Jorkut është inauguruar zyrtarisht rruga që mban emrin e heroit kombëtar shqiptar, Isa Boletini, një akt simbolik që vulos respektin e diasporës shqiptare dhe institucioneve amerikane për figurën e tij historike.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, me pjesëmarrjen e Policisë së Nju Jorkut, dhe me intonimin e himnit amerikan e atij shqiptar. Të pranishmit vlerësuan këtë moment si një shenjë të fortë të bashkëpunimit dhe vlerësimit të ndërsjellë mes komunitetit shqiptaro–amerikan dhe autoriteteve lokale.

Ky projekt u mundësua nga angazhimi i komunitetit shqiptar në Staten Island, i udhëhequr nga Naser Nika, i cili theksoi rëndësinë historike dhe emocionale që ky emërtim ka për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i Bashkisë së Staten Island-it, Vito Fosella, gjatë fjalës së tij kujtoi figurën e Isa Boletinit si një burrë shteti që luftoi kundër tiranisë dhe që mbrojti idealin e Shqipërisë së Bashkuar. Ai rikujtoi gjithashtu përvojën e tij në Ballkan 25 vite më parë, duke nënvizuar se liria në Kosovë ishte e brishtë dhe se SHBA qëndroi krah për krah me shqiptarët.
SHBA gjithmonë do të qëndrojë pranë popullit shqiptar,” u shpreh Fosella.

Edhe këshilltari i qytetit të Nju Jorkut, David Carr, theksoi se kjo ngjarje nderon një prej liderëve kyç të historisë shqiptare, figurë vendimtare në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe kosovare, mes tyre:
– ministri në detyrë i Kosovës, Faton Peci
– ministri shqiptar nga Mali i Zi, Fatmir Xheka
– zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai
– kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj
– ambasadorja e Shqipërisë pranë OKB-së, Suela Janina

Inaugurimi i kësaj rruge përbën një hap të rëndësishëm në promovimin e figurave historike shqiptare në SHBA dhe në forcimin e lidhjeve të komunitetit shqiptaro–amerikan me institucionet vendore amerikane.