“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” sonte në Gjilan: Një shfaqje me plot humor e satirë mbi realitetin kulturor

Teatri i qytetit të Gjilanit, prej orës 20:00, hap dyert për publikun me shfaqjen “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, një vepër nga Jeton Neziraj në regji të Agon Myftarit.
Ky produksion i Teatrit Adriana në Ferizaj ofron një udhëtim krejt ndryshe në botën e artit dhe kulturës tonë, duke sjellë një satirë të guximshme, qesharake dhe therëse mbi realitetin kulturor.
Shfaqja trajton tema si arti, kaosi, politika, liria dhe çmenduria e përditshme e shoqërisë, por gjithmonë me humorin e zi dhe energjinë shpërthyese që Neziraj di t’i sjellë në skenë.
Spektatori ftohet të reflektojë, të qeshë dhe të përjetojë një eksperiencë teatrale që sfidon normat dhe nxit mendimin kritik, ndërkohë që ofron argëtim të pastër.