Ilda Nuhiu rrëmben vendin e parë në “We Sing” me performancën e jashtëzakonshme të “Adagio”

Skena e talent show-it “We Sing” në ATV u ndez mbrëmë nga interpretimi i jashtëzakonshëm i Ilda Nuhiut, e cila u shpall fituese e edicionit me performancën brilante të këngës “Adagio” nga Lara Fabian.
Mes një gare të fortë dhe talentesh të shumta nga mbarë trevat shqiptare, Ilda arriti të spikaste me vokalin e saj të pastër, të fuqishëm dhe plot emocion, duke lënë pa fjalë publikun dhe jurinë.
Performanca e saj u vlerësua lart nga juria profesionale, e përbërë nga emra të njohur të muzikës shqiptare Sabri Fejzullahu, Adelina Thaçi, Alma Bektashi dhe Dren Abazi. Juria e përshkroi paraqitjen e Ildës si “mahnitëse” dhe theksoi se ajo “i la të gjithë pa fjalë”.
Edicioni i sivjetshëm i “We Sing” solli një konkurrencë të veçantë, duke mbledhur zëra të rinj e të fuqishëm nga e gjithë hapësira shqiptare, ndërsa finalja u karakterizua nga performanca të nivelit të lartë.
Pas suksesit të mbrëmjes, autori dhe drejtuesi artistik i programit, kompozitori i njohur Rinor Ukimeri, u shpreh se synimi i “We Sing” është të krijojë një platformë të mirëfilltë për talentet e reja, duke u dhënë atyre hapësirën e merituar për të shkëlqyer në skenë.
Fitorja e Ilda Nuhiut shënon një moment të rëndësishëm në karrierën e saj dhe përbën një tjetër dëshmi të potencialit të madh të artistëve të rinj në skenën muzikore shqiptare.