“Luna Park”, filmi shqiptar që synon Oscars, me premierë në Kosovë

Filmi shqiptar “Luna Park”, i cili është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar 2026 në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”, vjen për herë të parë me premierë në Kosovë më 19 nëntor 2025 në Cineplexx, Albi Mall.
Në këtë ngjarje pritet të jenë prezent kasti i filmit dhe njëri nga producentët, Fatmir Spahiu, duke e bërë këtë event një mundësi të veçantë për publikun dhe median që të përjetojnë një nga projektet më të vlerësuara të kinematografisë shqiptare.
Me regji të Florenc Papas, “Luna Park” sjell një histori të fuqishme të vendosur në realitetin postkomunist të Shqipërisë, duke ndjekur rrugëtimin e Mirës, një nënë e vetmuar, dhe Toni, djali i saj adoleshent, të cilët përballen me trazirat civile që trondisin vendin.
Filmi ofron një qasje të drejtpërdrejtë dhe emocionale ndaj një periudhe të ndërlikuar historike dhe sociale, duke e bërë të domosdoshëm për audiencën që kërkon një rrëfim të thellë dhe të prekshëm.
Në film marrin pjesë aktorët Adriana Matoshi, Orion Jolldashi, Nik Xhelilaj, Flonja Kodheli, Amos Zaharia dhe Eno Milkani, ndërsa ekipin krijues e përbëjnë skenaristët Florenc Papas dhe Glykeria Patramani, kinematografi Simos Sarketzis, redaktorja Federica Forcesi, dizajneri Durim Neziri, kostumografia Stela Laknori dhe kompozitori Mater Merlic.
Producentë janë Dritan Huqi, Ioanna Bolomyi, Riccardo Neri dhe Fatmir Spahiu, ndërsa filmi është realizuar nga kompanitë On FILM, Atalante Productions S.A., Lupin Film, Studio Corvus dhe Buka Production.
“Luna Park” ka marrë gjithashtu vlerësim ndërkombëtar duke u përzgjedhur për edicionin e 55-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në GOA, Indi, duke e rritur prezencën dhe ndikimin e tij jashtë Shqipërisë.
Premiera në Kosovë ofron një mundësi të jashtëzakonshme që publiku të njohë nga afër një projekt filmik me synime ndërkombëtare, që tashmë ka fituar vëmendje dhe është bërë simbol i avancimit të kinematografisë shqiptare dhe kosovare.