Ansambli “Gjilani” kthehet në shtëpi me Çmimin e Parë nga “Ballkan Fest” në Kumanovë

Ansambli “Gjilani” ka triumfuar në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar “Ballkan Fest” në Kumanovë, duke u shpallur fitues i Çmimit të Parë dhe duke marrë disa nga vlerësimet më të rëndësishme të mbrëmjes. Nën dirigjimin e maestro Burhan Azizi, orkestra u vlerësua me çmimin “Orkestra më e mirë”, ndërsa Lumturie Shabani Taria fitoi çmimin “Këngëtarja më e mirë”, dhe Arnis Rexhepi u shpall “Instrumentalisti më i mirë”.

Drejtuesit e ansamblit falënderuan jurinë profesionale të festivalit, të përbërë nga Prof. Dilaver Kryeziu, Ismet Bexheti, Hidaver Osmani – DIDI dhe koreografi turk Xhelal Yalçin, si dhe drejtorin e festivalit, Prof. Ilir Latifi, për organizimin e nivelit të lartë.
Në festival morën pjesë ansamble nga Turqia, Bosnja, Shqipëria, Maqedonia dhe vende të tjera të Ballkanit, duke e kthyer garën në një arenë të vërtetë kulturash dhe traditash.
Ansambli “Gjilani” ka falënderuar të gjithë artistët që shkëlqyen në skenë — orkestrën profesionale, solistët, valltarët, grupin e vajzave dhe grupin burimor me surle e tupan — duke theksuar se ky sukses është fryt i punës kolektive.

Çmimi i Parë iu dedikua posaçërisht ish-drejtorit të Ansamblit, të ndjerit Nehat Ferati. “Nehat, faleminderit që na mësove të jemi triumfues në çdo skenë e në çdo vend. Shembulli yt do të mbetet udhërrëfyes për ne,” thuhet në njoftimin e ansamblit.