Lozana mirëpret Festivalin Folklorik “Ilirët Jehojnë”- një festë e madhe e kulturës shqiptare në diasporë

Lozana mirëpret Festivalin Folklorik “Ilirët Jehojnë”- një festë e madhe e kulturës shqiptare në diasporë

Më 15 dhe 16 nëntor 2025, qyteti i Lozanës do të shndërrohet në një skenë të gjallë të kulturës shqiptare, duke mirëpritur edicionin e parë të Festivalit Folklorik “Ilirët Jehojnë”. Ky festival përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në diasporë, duke bashkuar traditën, artin dhe shpirtin kombëtar në një atmosferë madhështore.

Festivali zhvillohet në kuadër të festimeve të Ditës së Flamurit, dhe këtë vit do të ketë një të ftuar të veçantë – aktorin me famë botërore, Xhevat Limani, i cili do të mbajë një recital artistik kushtuar 28 Nëntorit.

Programi i festivalit pritet të jetë i pasur dhe dinamik, me pjesëmarrjen e ansambleve folklorike, këngëtarëve, valltarëve dhe artizanëve nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga komunitetet shqiptare që jetojnë në Evropë. Nëpërmjet këngës, valleve dhe kostumeve tradicionale, ngjarja synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë kulturore mbarëkombëtare, duke i dhënë një dimension të ri identitetit shqiptar në diasporë.

Organizimi i festivalit udhëhiqet nga Fatime Kalimashi, ndërsa në Këshillin Organizator marrin pjesë edhe Prof. Dilaver Kryeziu, Isak Aliaj dhe SHKA “Ilirët”.
Në anën tjetër, juria profesionale përbëhet nga studiues të njohur të muzikës dhe folklorit – Prof. Dilaver Kryeziu, Prof. Sami Piraj dhe Emir Dizdari.
Moderimin e dy mbrëmjeve do ta bëjnë Defrim Methasani dhe Mirjeta Aliaj, të cilët do të udhëheqin publikun përmes një udhëtimi artistik që ngërthen emocion, kujtesë dhe krenari kombëtare.

‘Ilirët Jehojnë’ nuk është vetëm një manifestim artistik, por një frymë bashkimi që rikujton rrënjët tona dhe e çon trashëgiminë tonë te brezat e ardhshëm,” – theksojnë organizatorët.

Ky festival premton të bëhet një pikëtakim i rëndësishëm për artin dhe kulturën shqiptare në Evropë, duke jehuar, ashtu siç e mban emrin, shpirtin e pathyeshëm të Ilirëve në zemër të Zvicrës.