Spanja do t’i propozojë BE-së heqjen e ndërrimit të orës – kërkon kalim të përhershëm në orën dimërore

Qeveria e Spanjës ka njoftuar se do t’i propozojë Bashkimit Evropian anulimin e praktikës së ndërrimit të orës dy herë në vit dhe kalimin përfundimisht në orën dimërore.
Sipas autoriteteve spanjolle, kjo praktikë, e cila aplikohet prej dekadash në shumë vende evropiane, është tashmë e vjetruar dhe nuk kontribuon më në kursimin e energjisë, përkundrazi, lidhet me efekte negative për shëndetin e qytetarëve.
Në një video të publikuar në platformën X (ish-Twitter), kryeministri Pedro Sánchez tha:
“Ndryshimi i orës dy herë në vit nuk ka më kuptim. Është koha që Evropa të bëjë një hap përpara dhe ta heqë këtë praktikë.”
Kujtojmë se në vitin 2019, Parlamenti Evropian kishte votuar me 63% pro për heqjen e ndërrimit sezonal të orës, por procesi mbeti pezull për shkak të mungesës së konsensusit midis shteteve anëtare. Vendimi përfundimtar kërkon miratim nga Këshilli Evropian me shumicë të kualifikuar.
Nëse nisma e Spanjës gjen mbështetje, Evropa mund të përballet së shpejti me fundin e praktikës së vjetër të “kalimit të orës” – një debat që rikthehet çdo pranverë dhe vjeshtë.