“Unë, Rozë” – Gjilani bëhet qyteti i ndërgjegjësimit përmes artit, emocioneve dhe muzikës së Shpat Dedës

“Unë, Rozë” – Gjilani bëhet qyteti i ndërgjegjësimit përmes artit, emocioneve dhe muzikës së Shpat Dedës

Në tetorin rozë, Gjilani po merr frymë ndryshe. Me ekspozitën “Unë, Rozë”, artistet Alisa Bekteshi dhe Doruntinë Matoshi kanë bashkuar forcat për të kthyer ndërgjegjësimin në art, ndjenjë dhe solidaritet. Kjo nismë, që zhvillohet në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, sjell një sërë aktivitetesh që lidhen me forcën dhe shpresën e grave.

Të hënën, më 20 tetor, në Bibliotekën e Qytetit, do të mbahet “Paneli Rozë” – një diskutim vetëdijësues për vetëkontrollin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, si dhe punëtoria “Duart Rozë”, ku gratë e prekura ndajnë përvoja dhe krijojnë artizanate që flasin me shpirtin.

Kulmi i kësaj jave do të jetë më 22 tetor, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ku do të hapet ekspozita kolektive “Unë, Rozë”, me pjesëmarrjen e artistëve vendas e ndërkombëtarë. Mbrëmja do të përmbyllet me një koncert të veçantë të Shpat Dedës, një artist që di ta shndërrojë ndjesinë në art dhe t’i japë jetë emocioneve përmes muzikës së tij.

Gjatë eventit do të shfaqet edhe një dokumentar për të mbijetuarat, si dhe aktivitete simbolike me brendime, tote bags, maica, kokteje e detaje që mbartin ngjyrën dhe shpirtin e këtij muaji. “Unë, Rozë” nuk është vetëm një ekspozitë, por një thirrje për dashuri, humanitet dhe kujdes ndaj vetes.