Riad Rashiti premton 3.5 milionë euro investime për kulturën në Gjilan

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Gjilanit, Riad Rashiti, ka prezantuar planin e tij për zhvillimin e kulturës në qytet, duke paralajmëruar investime në vlerë prej 3.5 milionë eurosh.
Rashiti tha se vizioni i tij është që Gjilani të kthehet në një qendër kulturore moderne, duke u ofruar artistëve, të rinjve dhe qytetarëve hapësira të reja dhe kushte më të mira për krijimtari.
Rinovimi i Teatrit të Qytetit është një nga projektet kryesore, ku parashihet përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë për akustikën, si dhe pajisja me teknologjinë më të fundit – inventar të ri, kompjuterë, laptopë, printerë, pajisje profesionale zërimi, projektorë dhe garderobë për artistët.
Në listën e zotimeve është edhe rikthimi i kinemasë së qytetit, duke e shndërruar atë në një hapësirë moderne për shfaqje filmike, si dhe krijimi i një amfiteatri të hapur për shfaqje teatrale dhe evente kulturore, i shoqëruar me hapësira të mjaftueshme parkimi.
Një tjetër projekt madhor është ndërtimi i sallës koncertale në Gjilan, që do të shërbejë si qendër e muzikës dhe performancave artistike.
Rashiti ka premtuar gjithashtu investime në Shkollën e Artit “Adem Kastrati”, ku parashihet ndërtimi i një galerie për ekspozitat e nxënësve dhe krijimi i hapësirave të dedikuara për aktivitete artistike, duke adresuar mungesën aktuale të tyre.
Në planin e tij për kulturën përfshihen edhe:
- Thirrje publike për festivale të reja bashkëkohore,
- Fondi i krijimtarisë letrare për të rinj,
- Transparencë dhe meritokraci në ndarjen e subvencioneve për të gjitha fushat kulturore.
Një ndër prioritetet e theksuara nga kandidati i PDK-së është edhe përfundimi i Kult Qendrës, me investime shtesë për finalizimin e eksterierit dhe interierit, duke planifikuar ndarje funksionale të hapësirave për artistët dhe komunitetin kulturor.
Sipas Rashitit, ky plan është pjesë e vizionit për një Gjilan ku kultura do të marrë vendin që meriton, duke e bërë qytetin më të pasur në jetë artistike dhe më tërheqës për të rinjtë dhe vizitorët.