Ousmane Dembélé, fitues i Topit të Artë 2025

Ylli i Paris Saint-Germain, Ousmane Dembélé, është shpallur fitues i Topit të Artë për edicionin 2024/2025, duke u njohur si futbollisti më i mirë në botë. Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt të hënën mbrëma në Paris, ku superylli brazilian Ronaldinho i dorëzoi trofeun francezit.
28-vjeçari Dembele zhvilloi një sezon të jashtëzakonshëm, duke udhëhequr PSG-në drejt triumfit të parë në Ligën e Kampionëve. Ai fitoi gjithashtu titullin kampion të Francës, Kupën e Francës, dhe arriti në finale të Botërorit të Klubeve, duke treguar konsistencë dhe nivel të lartë performancash në çdo garë.
Në edicionin e kaluar, Dembele shënoi 35 gola dhe regjistroi 16 asistime në 53 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Në Ligën e Kampionëve, ai kontribuoi me 8 gola dhe 6 asistime në 15 ndeshje, duke qenë një nga lojtarët kyç që çuan skuadrën drejt suksesit më të madh europian.
Ky është hera e parë që Dembele fiton Topin e Artë, duke lënë pas konkurrentë të fortë, përfshirë talentin e ri të Barcelonës, 18-vjeçarin Lamine Yamal. Fitimi i këtij trofeu vlerëson jo vetëm shifrat dhe golat e tij, por edhe ndikimin dhe lidershipin e jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë fushës.
Ousmane Dembélé, me shpejtësinë, tekniken dhe vizionin e tij, konfirmon vendin si një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe një nga figurat më të ndritshme të futbollit francez dhe europian.