KPM dhe TikTok me marrëveshje për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve në Kosovë

KPM dhe TikTok me marrëveshje për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka njoftuar një bashkëpunim të ri me zyrën e TikTok-ut në Evropë, me synim trajtimin e shpejtë të ankesave lidhur me përmbajtjet që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, si dhe rastet e shkeljes së standardeve mediale edhe jashtë periudhave zgjedhore.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, i cili konfirmoi se ankesat që lidhen me përmbajtje në TikTok tash do të adresohen drejtpërdrejt nga kjo platformë.

“Si Komision i Pavarur për Media jemi pajtuar që ankesat që vijnë në raport me TikTok-un, ne mund t’i përcjellim direkt atje. Ata janë angazhuar vullnetarisht që brenda 24 orëve të trajtojnë çdo ankesë të dërguar nga KPM,” tha Berisha.

Sipas tij, kjo marrëveshje krijon një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me TikTok-un, duke mundësuar që çdo përmbajtje e dyshuar për shkelje të privatësisë, përmbajtje të papërshtatshme ose që mund të shkaktojë dëm të konsiderueshëm, të shqyrtohet me prioritet.

“Qytetarët tani kanë një adresë të qartë për të dërguar ankesat e tyre. Pas pranimit të ankesës nga KPM, TikTok shqyrton dhe vendos për përmbajtjen brenda 24 orëve,” u shpreh Berisha.