Arbër Ismajli mes makinave të “Flora Rehau”: aty ku prodhohet jo vetëm punë, por edhe krenaria e Gjilanit

Arbër Ismajli mes makinave të “Flora Rehau”: aty ku prodhohet jo vetëm punë, por edhe krenaria e Gjilanit

Në një qytet ku shpesh flitet për sfida, por më rrallë tregohet për sukseset, kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, sot zgjodhi ta shkruajë ndryshe kapitullin e fushatës së tij. Ai nuk shkoi në sallë takimesh apo podium politik, por në zemrën e një fabrike që prodhon krenari – “Flora Rehau”.

Me hapa të qetë, por mes duarshtrëngimesh të ngrohta, Ismajli vizitoi këtë biznes gjilanas që prej kohësh flet vetë me sukseset e tij. Dhe nuk janë vetëm produktet cilësore që dalin nga linjat e kësaj fabrike, por edhe mesazhi se inovacioni vendor, kur gjen përkushtim, kthehet në shembull për të gjithë rajonin. “Flora Rehau” është më shumë se fabrikë – është një histori për punën e ndershme, standardet më të larta dhe fuqinë e qytetit për t’u ngritur edhe pa ndihmën e pushtetit aktual.

Me plot respekt për Cen Osmanin dhe Bekim Shalën, dy emra që po i japin kuptim fjalës “prodhim vendor”, Ismajli tha se biznese të tilla nuk janë vetëm ekonomi – janë pasuri kombëtare. E mes premtimeve, ai u zotua: nëse nesër Gjilani zgjedh ndryshimin, “Flora Rehau” dhe bizneset si kjo nuk do të jenë më vetëm histori frymëzimi, por partnerë realë në zhvillimin e qytetit. Sepse për Arbër Ismajlin, Gjilani i Ri ndërtohet bashkë – krah për krah me ata që punën e kanë bërë vlerë.