Vlora Hyseni udhëheq mbledhjet kryesore të inteligjencës civile dhe ushtarake të NATO-s në Bruksel

Vlora Hyseni udhëheq mbledhjet kryesore të inteligjencës civile dhe ushtarake të NATO-s në Bruksel

Në selinë e NATO-s në Bruksel, aty ku merren vendimet që përcaktojnë sigurinë e një aleance prej 32 shtetesh, këtë javë u zhvilluan mbledhjet më të rëndësishme të inteligjencës civile dhe ushtarake. Në krye të tavolinës, mes drejtuesve të shërbimeve më të fuqishme të botës, ishte një emër shqiptar: Vlora Hyseni, Shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë. Ajo udhëhoqi punimet e Komitetit Civil të Inteligjencës së NATO-s (CIC), duke shënuar një moment historik për SHISH-in dhe për rolin e Shqipërisë në aleancë.

Takimet u zhvilluan nën vëmendjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili theksoi se pa bashkëpunimin e ngushtë të inteligjencës aleate, Aleanca nuk do të ishte në gjendje të përballonte kërcënimet gjithnjë e më të sofistikuara. Nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, deri te dinamika gjeopolitike me Kinën, Korenë e Veriut, Bjellorusinë dhe Iranin – temat e agjendës prekën të gjitha nyjet e sigurisë së sotme globale.

Admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, vlerësoi thellësinë dhe cilësinë e inteligjencës së ofruar nga aleatët, duke nënvizuar se çdo ditë sfidat janë më shumëdimensionale. Në këtë atmosferë të intensitetit të lartë strategjik, roli udhëheqës i Hysenit në drejtimin e diskutimeve thelbësore u pa si dëshmi e profesionalizmit dhe peshës së rritur të Shqipërisë brenda aleancës.

Takimet vjetore CIC-MIC shërbejnë si platforma ku Aleatët harmonizojnë politikat dhe strategjinë e inteligjencës, me fokus tek operacionet, planifikimi dhe vendimmarrja. Prania dhe drejtimi i Vlorës Hyseni në krye të Komitetit Civil të Inteligjencës është jo vetëm një arritje institucionale, por edhe një mesazh i qartë se Shqipëria është një aktor i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë euro-atlantike.