“Vazhdojmë fuqishëm për fitoren e madhe” – Alban Hyseni hap zyrtarisht fushatën në Gjilan

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nisur zyrtarisht fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen më 9 nëntor.
Në raundin e parë të zgjedhjeve, Hyseni arriti të sigurojë 49.79% të votave, apo 21,463 vota, duke iu afruar fitores që në raundin e parë për vetëm 71 vota.
Edhe pas përfundimit të raundit të parë, Hyseni ka vazhduar takimet me qytetarë, biznese dhe aktivistë në terren, ndërsa mbrëmë e hapi zyrtarisht fushatën për balotazh në një tubim simbolik para Teatrit të Qytetit në Gjilan, vendin ku, siç tha ai, ishte shënuar “fitorja e madhe e vitit 2021”.
“Nga ambientet para Teatrit të Qytetit, ku shënuam fitoren e madhe të vitit 2021, e nisëm sonte zyrtarisht fushatën për balotazh. Na pret një javë me shumë takime e aktivitete, andaj ju jam mirënjohës secilit që keni besuar dhe besoni në vizionin tonë për Gjilanin. Përkrahja e juaj e jashtëzakonshme është forca më e madhe e Lëvizjes në çdo garë. Vazhdojmë fuqishëm, bashkë për fitoren e madhe më 9 nëntor. Na priftë e mbara,” – ka shkruar Hyseni në postimin e tij.
Në fjalën e tij, Hyseni theksoi se fushata do të vazhdojë me fokus në komunikimin me qytetarët dhe në prezantimin e rezultateve të arritura gjatë mandatit të tij, si dhe të planeve për zhvillimin e mëtejmë të Gjilanit.
Balotazhi i 9 nëntorit pritet të përcaktojë se kush do ta drejtojë Komunën e Gjilanit për katër vitet e ardhshme, pas një gare të ngushtë që dëshmoi mbështetje të gjerë për kandidatin e Vetëvendosjes.