Uta Ibrahimi nderohet ndërkombëtarisht për arritjet e saj në alpinizëm

Alpinistja e njohur kosovare, Uta Ibrahimi, ka marrë një çmim ndërkombëtar nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Alpinistëve (UIAA), duke u njohur për sukseset e saj të jashtëzakonshme në majat mbi 8.000 metra. Ajo shënon një tjetër kapitull historik, duke u bërë gruaja e parë nga Ballkani që arrin këtë nivel të lartë të alpinizmit.
Vlerësimi u dorëzua gjatë Asamblesë së UIAA-s, e cila këtë vit u zhvillua në Pejë, Kosovë – një moment që Uta e përjetoi si shumë simbolik. “Ishte privilegj të mirëpres alpinistë nga e gjithë bota në malet tona,” shkroi ajo, duke theksuar se ditët e asamblesë ishin të mbushura me inspirim, shkëmbim përvojash dhe lidhje të reja.
Gjatë evenimentit, Ibrahimi foli edhe për zhvillimin e alpinizmit në Kosovë, duke e vlerësuar këtë si një arritje jo vetëm personale, por edhe për komunitetin e alpinistëve në vend, që po rritet dita-ditës.