UNUM Festival shpallet “Festivali më i Mirë Global 2025”

UNUM Festival shpallet “Festivali më i Mirë Global 2025”

UNUM Festival mbahet në Shqipëri dhe organizohet nga një ekip fantastik i organizatorëve nga Kosova. Që nga themelimi i tij në vitin 2019, festivali ka tërhequr vëmendjen e botës, duke u shndërruar në një simbol të muzikës elektronike, artit dhe natyrës.

Ky vit shënoi një moment historik: UNUM Festival u shpall “Festivali më i Mirë Global 2025” nga The DJ Awards Ibiza, një nga organizatat më prestigjioze ndërkombëtare që vlerëson arritjet më të mëdha në industrinë e muzikës elektronike. Ky çmim e vendos UNUM-in përkrah gjigantëve si Burning Man, Tomorrowland dhe Sonus, duke ngritur Shqipërinë në një nivel ndërkombëtar.

Festivali zhvillohet në plazhin magjepsës të Rana e Hedhun në Shëngjin, dhe çdo vit mbledh mijëra vizitorë nga mbi 60 vende të botës. Edicioni i këtij viti solli një line-up të jashtëzakonshëm me artistë të njohur si Black Coffee, Bedouin, Ricardo Villalobos, Seth Troxler, Dixon, Damian Lazarus, Rhadoo, Raresh, Priku dhe Arapu, duke e kthyer Shqipërinë për disa ditë në kryeqytetin global të tingujve elektronikë.

Organizatorët e festivalit deklaruan:

“Ky çmim është fryt i pasionit, punës dhe komunitetit që kemi ndërtuar bashkë me artistët dhe familjen UNUM – një ëndërr që u bë realitet.”

Ky sukses nuk është vetëm për muzikën; ai tregon fuqinë transformuese të kulturës dhe potencialin që një vizion i guximshëm mund t’i sjellë Shqipërisë dhe rajonit. Me këtë çmim, UNUM Festival afirmohet si një fenomen global dhe vendos vendin tonë në hartën e festivaleve më prestigjioze të muzikës moderne.