Tubimi madhështor i LDK-së në Gjilan: Shpaloset programi i plotë për zhvillimin e komunës

Tubimi madhështor i LDK-së në Gjilan: Shpaloset programi i plotë për zhvillimin e komunës

Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka paralajmëruar mbajtjen e tubimit madhështor qendror, i cili do të mbahet më 8 tetor, nga ora 18:00, në Bulevardin “Ibrahim Rugova”.

Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë figurat kryesore të LDK-së, të cilët do të mbështesin kandidatin për kryetar të komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Gjatë tubimit do të prezantohet programi i plotë i Lidhjes Demokratike për qeverisjen lokale, me fokus në zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Ky tubim do të jetë një dëshmi e fuqisë së qytetarëve të bashkuar dhe të vendosur për një Gjilan të ri. Ne ju ftojmë të na bashkoheni, sepse bashkë mund ta sjellim ndryshimin që e meritojmë. Bashkë për fitore!”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ky aktivitet konsiderohet si një nga momentet më të rëndësishme të fushatës zgjedhore, ku pritet pjesëmarrje e madhe e qytetarëve dhe një atmosferë mobilizuese në prag të zgjedhjeve lokale.