Tregti pa barriera drejt Evropës Veriore: Lihtenshtajni mbështet Kosovën

Qeveria e Lihtenshtajnit ka miratuar sot raportin dhe propozimin për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të EFTA-s me Republikën e Kosovës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ekonomike mes Kosovës dhe vendeve të Evropës Veriore.
Marrëveshja përfshin shtetet anëtare të EFTA-s – Islandën, Norvegjinë, Zvicrën dhe Lihtenshtajnin – dhe mbulon fusha kyçe si tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fitosanitare, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Sipas njoftimit të ministres së Jashtme të Lihtenshtajnit, marrëveshja parasheh që të gjitha barrierat tregtare për produktet industriale të eliminohen më së voni pesë vjet pas hyrjes së saj në fuqi, duke krijuar kushte më të favorshme për bizneset dhe eksportet kosovare.
“Finalizimi i kësaj marrëveshjeje nënvizon angazhimin e Lihtenshtajnit për mbështetjen e reformave ekonomike të Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat ndërkombëtare të bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke theksuar se marrëveshja rrit aksesin në treg, sigurinë ligjore dhe parashikueshmërinë për operatorët ekonomikë.