Talentja e re Anna Krasniqi fiton “Grand Prix” dhe “Jimmy Fontana” në Itali

Prej 23 deri më 25 tetor, në qytetin Ragusa të Italisë, u zhvillua edicioni jubilar i Hybla Music Contest – Concorso Internazionale di Canto, një festival i njohur ndërkombëtar që këtë vit grumbulloi artistë nga Kosova, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zelanda e Re, Malta, Estonia, Spanja dhe Italia.
Festivali ishte i ndarë në katër kategori sipas grupmoshave, ku për dy ditë rresht skena u shijua nga performancat e më të vegjëlve e deri te të rriturit, me mbi 50 artistë që prezantuan talentin e tyre para një jurie profesionale me përbërje ndërkombëtare.
Ky edicion solli fitore të madhe për talenten e re nga Kosova, Anna Krasniqi, e cila u kurorëzua me dy çmime kryesore: “Grand Prix” dhe “Jimmy Fontana”, ky i fundit duke i siguruar asaj mundësinë e incizimit të këngëve në Romë.
Çmimi “Jimmy Fontana” ndahet nga familja e legjendarit Jimmy Fontana, përkatësisht nga djali i tij, Luigi Fontana, i cili në këtë edicion shërbeu edhe si kryetar i jurisë dhe është një personalitet i njohur në botën e muzikës.
Delegacioni i Kosovës, i përfaqësuar nga Shkolla e Muzikës “Amadeus” dhe mësuesja e tyre Edina Pllana, arriti të shpërblehet edhe në kategori të tjera. Edita Tuli fitoi çmimin e parë në kategorinë e dytë garuese, ndërsa Lyra Aryal u vlerësua me çmimin special “Talent Award in Solo Singing – Muzikë Lirike” dhe mori një ftesë speciale për të performuar në Orfeus Music Festival në Malaga, Spanjë, në mars 2026. Ndërkohë, Emabelle Shabani dhe Maja Idrizaj u shpërblyen me diploma për pjesëmarrje dhe prezentim dinjitoz.
Juria e festivalit përbëhej nga emra të njohur ndërkombëtarë, përveç Luigi Fontana, si: Rita Perrota, Petia Koleva, Pervathi Albana, Gianvito Messina, Phyllisienne Brincat, Edina Pllana, Marina Martyinson, Raffaele Furnaro dhe Gianni Papa.
E emocionuar nga ky sukses, Anna Krasniqi ka shprehur për KultPlus:
“Ky vlerësim është i jashtëzakonshëm. Unë e kam synuar çmimin në kategorinë e moshës sime, ku kanë garuar bashkëmoshatarët e mi 13-15 vjeç, por që të vlerësohem me çmimet kryesore të festivalit, nuk e kam imagjinuar asnjëherë. Kjo është hera ime e parë në një festival dhe ky sukses më motivon shumë për rrugëtimin tim të mëtejshëm.”
Ky triumf i Anës nuk është vetëm një arritje personale, por edhe një përfaqësim i shkëlqyer i talentit kosovar në skenën ndërkombëtare të muzikës.