Restaurimi i Teatrit Kombëtar zgjatet deri në qershor të këtij viti

Punimet në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të zgjasin edhe më shumë sesa ishte paraparë fillimisht. Institucioni, i mbyllur që nga korriku i vitit 2022, pritet të qëndrojë jashtë funksionit së paku deri në qershor 2026, pas zgjatjes së kontratës së restaurimit nga Ministria e Kulturës.
Projekti, i cili ka nisur në korrik 2024, ka pësuar ndryshime gjatë realizimit për shkak të natyrës së objektit si monument i trashëgimisë kulturore, si dhe për shkak të ndërhyrjeve shtesë që janë bërë të domosdoshme gjatë punimeve. Si rezultat, vlera e investimit është rritur me mbi 190 mijë euro, duke mbetur brenda kufirit ligjor prej 10 për qind të kontratës bazë.
Fillimisht e nënshkruar në shtator 2024 me një kosto rreth 7 milionë euro, kontrata tani e çon vlerën totale të projektit në afro 8 milionë euro. Sipas Ministrisë së Kulturës, ky është restaurimi i parë i plotë i Teatrit Kombëtar pas luftës, i zhvilluar me një qasje konservuese-restauruese që synon ruajtjen e identitetit arkitektonik dhe historik, duke e përshtatur objektin me standardet moderne teknike dhe funksionale.
Gjatë punimeve janë zbuluar edhe probleme strukturore dhe teknike të padukshme në fazën fillestare të projektimit, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjatjen e afateve. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur një datë përfundimtare për hapjen e plotë të teatrit.