Nis fushata vjeshtore kundër tërbimit tek kafshët e egra, vaksinat shpërndahen nga ajri

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se ka nisur fushata vjeshtore e vaksinimit nga ajri për kafshët e egra, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes së tërbimit.
Vaksinat shpërndahen nga ajri në zonat e përcaktuara, ndërsa inspektorët veterinarë të AUV-së monitorojnë procesin, duke përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
AUV u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në rast se hasin kapsulat e vaksinave.
Veçanërisht, prindërit duhet të udhëzojnë fëmijët që të mos prekin kapsulat, pasi ato janë të destinuara vetëm për kafshët e egra.
Kjo fushatë është pjesë e masave të parandalimit të përhapjes së tërbimit dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe atij veterinar.
Për më shumë informacion, qytetarët mund të kontaktojnë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.