Lumturije Nonaj – e vetmja rapsode grua në botë që i bie lahutës

Lumturije Nonaj – e vetmja rapsode grua në botë që i bie lahutës

Lahuta, instrumenti tradicional i Shqipërisë së Veriut, mbetet një nga simbolët më të rëndësishëm të identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Tingujt e saj përcjellin historitë malësore, legjendat dhe eposin e Kreshnikëve, duke udhëtuar më shpejt se njerëzit në rrugët e Malësisë dhe duke ruajtur traditën brez pas brezi.

Nga kjo trashëgimi e pasur kulturore vjen Lumturije Nonaj, e cila konsiderohet sot e vetmja rapsode grua në botë që interpreton me lahutë.

Ajo është pinjolle e një familjeje të njohur lahutarësh, ku tradita e lahutës është ruajtur dhe promovuar gjatë gjeneratave. Lumturija është mbesa e rapsodit legjendar Gjok Nonaj, i cili interpretoi deri në moshën 105 vjeçareFestivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe mbetet një nga figurat më emblematike të këtij arti.

Lindja dhe formimi i saj muzikor

E lindur në Lezhë dhe me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Lumturije tregon se lahuta ka qenë pjesë e jetës së saj që në fëmijëri. “Unë pothuajse kam lindur lahutare. Brez pas brezi, familja ime njihej si familje lahutarësh. Çiftelisë i kam rënë që pesë vjeçe, ndërsa lahutës kam filluar t’i bie në moshën dymbëdhjetë vjeçare,” shprehet ajo.

Sipas saj, sot kanë mbetur shumë pak lahutarë, aq sa mund të numërohen me gishta. Tradita vazhdon brenda familjes Nonaj: katër vëllezërit e saj, Nikolla, Luigji, Gjeta dhe Gjovalini, janë gjithashtu lahutarë, ndërsa Lumturija po ia mëson instrumentin edhe bashkëshortit të saj. Ajo thekson se lahuta nuk është e vështirë për t’u mësuar, për sa kohë ka dëshirë dhe respekt për traditën.

Roli i saj dhe repertori muzikor

Repertori i Lumturijes përfshin këngë trimërie, këngë nga Eposi i Kreshnikëve, si dhe vargje nga “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishtës. Megjithatë, ajo ka zgjedhur që lahuta të mos këndojë vetëm për luftë dhe vaj, por edhe për këngë dashurie dhe për natyrën e Malësisë së Madhe, bjeshkët dhe shtegtimin e bagëtive. Për të, lahuta dhe xhubleta janë si dy motra të pandara, që përfaqësojnë identitetin, rrënjët dhe historinë e saj.

Njohja e lahutës nga UNESCO ka rritur interesimin për këtë instrument dhe Lumturija shpesh ndalet nga njerëzit në rrugë, sidomos kur shfaqet e veshur me xhubletë dhe me lahutën në dorë. “Kanë kureshtje. Duan të dinë për identitetin e instrumentit, për pasaportën e lahutës. Dëshira ime është jo vetëm ta luaj, por edhe t’ua mësoj të rinjve,” shprehet ajo.

Kontributi ndërkombëtar dhe aspiratat për brezat e rinj

Prej 17 vitesh, Lumturije Nonaj ka ngjitur skena brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke përcjellë me lahutë këngët e kreshnikëve dhe jehonën e Alpeve shqiptare. Ajo është e para dhe e vetmja lahutare që vazhdon këtë traditë të herëshme të folklorit shqiptar dhe përdor gjithashtu 12 instrumente të tjera të folklorit popullor të trevës veriore të Shqipërisë, por lahuta mbetet “mbretëresha e veglave muzikore”.

Lumturija shpreh dëshirën që të mos mbetet e vetme si lahutare dhe aspiron që Shqipëria dhe rajoni të kenë më shumë lahutare që ruajnë këtë trashëgimi të pasur kombëtare. Ajo thekson se shteti shqiptar duhet të interesohet më shumë për ruajtjen dhe transmetimin e kësaj tradite ndër brezat e rinj.

Lumturije Nonaj mbetet një nga figurat më të rëndësishme të muzikës tradicionale shqiptare, duke bashkuar trashëgiminë kulturore me identitetin kombëtar, dhe duke treguar se lahuta, përtej muzikës, është një urë që lidh të shkuarën me brezat që vijnë.