KQZ nis dërgimin e 58 mijë pakove me fletëvotime për votimin me postë të diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për shtetasit e Kosovës të regjistruar për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas KQZ-së, rreth 58 mijë votues që kanë përzgjedhur votimin përmes postës do të pajisen me fletëvotime përmes dërgesave postare në adresat e tyre jashtë Kosovës. Ndërkohë, 19 mijë e 257 votues të tjerë, të regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, do të votojnë më 27 dhjetor, në misionet diplomatike ku janë regjistruar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fletëvotimet janë printuar në Slloveni dhe kanë arritur në Kosovë të premten, më 12 dhjetor. Pas kësaj, shërbimet e KQZ-së kanë përgatitur pakot individuale për secilin votues, të cilat tashmë janë gati për t’u dërguar jashtë vendit.
“Pakot fillimisht do të dërgohen në aeroport dhe nga dita e nesërme do të nisë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare. Gjatë javës në vijim pritet të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Çdo pako është e pajisur me një numër të veçantë gjurmimi, i cili u është dërguar votuesve, në mënyrë që ata të mund të ndjekin në çdo kohë vendndodhjen e dërgesës”, ka deklaruar Elezi.
KQZ ka theksuar se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025 dhe vlen vetëm për votuesit e regjistruar që kanë zgjedhur këtë mënyrë votimi. Votuesit janë inkurajuar që pakot me fletëvotime t’i dërgojnë sa më herët, për të shmangur vonesat dhe për të siguruar që vota e tyre të arrijë me kohë për procesin e numërimit në Kosovë.
Pakot me fletëvotime duhet të dorëzohen në kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, ose në kutitë postare më të afërta. Sipas KQZ-së, kutitë postare janë funksionale në 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
KQZ u bën thirrje të gjithë votuesve të diasporës që të mos presin ditën e fundit për dërgimin e fletëvotimit, në mënyrë që procesi i votimit të zhvillohet pa pengesa dhe brenda afateve të parapara.