Kosova zgjeron zonat e mbrojtura natyrore: Liqeni i Ujmanit dhe Mali Mokna nën mbrojtje

Kosova zgjeron zonat e mbrojtura natyrore: Liqeni i Ujmanit dhe Mali Mokna nën mbrojtje

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar vendimin e ri për mbrojtjen e Liqenit të Ujmanit dhe Malit Mokna, duke i futur këto zona nën mbrojtje natyrore. Ky hap e vendos Kosovën si vendin me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje ligjore në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Durmishit, vendimi vjen pas një studimi njëvjeçar në terren, ku u konstatuan vlerat e jashtëzakonshme të këtyre zonave: biodiversitet i pasur, peizazhe me rëndësi ekologjike dhe potencial shkencor. Zona e re e mbrojtur, me sipërfaqe prej 192.19 km², rrit përqindjen e territorit të Kosovës të mbrojtur ligjërisht në 12.4%.

Kosova ka një numër të konsiderueshëm zonash natyrore të mbrojtura, të cilat ruajnë vlera ekologjike, biologjike, kulturore dhe historike. Ligji për zonat e mbrojtura dhe për mbrojtjen e natyrës përcakton kategoritë e tyre, duke përfshirë parqet kombëtare, rezervatet natyrore, monumentet e natyrës, peizazhet e mbrojtura dhe zonat e veçanta të mbrojtura.