Kosova shënon rezultate pozitive në TALIS 2024: Mësimdhënësit mbi mesataren botërore

Kosova shënon rezultate pozitive në TALIS 2024: Mësimdhënësit mbi mesataren botërore

Kosova shënon rezultate premtuese në hulumtimin ndërkombëtar për mësimdhënie dhe mësimnxënie – TALIS 2024, organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Kjo është hera e parë që vendi ynë merr pjesë në këtë studim, i cili përfshiu 55 sisteme arsimore nga e gjithë bota.

Qëllimi i TALIS është mbledhja e të dhënave mbi përvojat e mësimdhënësve dhe drejtorëve, kushtet e punës dhe mënyrat e zhvillimit profesional në shkolla. Në Kosovë, në këtë cikël u përfshinë 3,281 mësimdhënës dhe 222 drejtorë nga shkollat e mesme të ulëta, ndërsa anketa u zhvillua online nga 15 marsi deri më 22 prill 2024.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), hulumtimi tregon disa tregues pozitivë për arsimin në Kosovë:

  • Mosha mesatare e mësimdhënësve është 44 vjeç, afër mesatares së OECD-së (45).
  • 60% e mësimdhënësve janë femra dhe 9% nën moshën 30 vjeçare.
  • 97% e mësimdhënësve kanë marrë pjesë në trajnime profesionale gjatë 12 muajve të fundit – më shumë se mesatarja e OECD-së (91%).
  • 28% kanë ndjekur trajnime që përfshijnë përdorimin e teknologjisë digjitale.

Rezultatet tregojnë edhe mënyrën e punës së mësimdhënësve:

  • 97% i mësojnë nxënësve të përdorin informacionin e fituar.
  • 90% i ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve reale.
  • 82% shkëmbejnë rregullisht materiale mësimore me kolegët.
  • 64% diskutojnë për performancën e nxënësve me kolegët e tyre.

Në nivel drejtues, 96% e drejtorëve marrin pjesë aktive në menaxhimin e mësimdhënies, por vetëm 48% përfshihen në planifikimin strategjik afatgjatë.

Nga perspektiva e mësimdhënësve, 85% ndihen të përmbushur në punën e tyre dhe 77% besojnë se profesioni i tyre vlerësohet nga shoqëria, përqindje më e lartë se mesatarja e OECD-së (67%).

MAShTI thekson se këto të dhëna ofrojnë informacion të vlefshëm për përmirësimin e politikave arsimore, përfshirë zhvillimin profesional, përdorimin e teknologjisë digjitale, forcimin e rolit të drejtuesve të shkollave dhe rritjen e statusit të mësimdhënësve në shoqëri.

Ministria njofton se rezultatet do të përdoren për krijimin e programeve të reja trajnimi dhe avancimin e standardeve të cilësisë në arsimin e Kosovës.