Inteligjenca artificiale shpik atraksion turistik, dhjetëra vizitorë udhëtojnë kot në Tasmani

Inteligjenca artificiale shpik atraksion turistik, dhjetëra vizitorë udhëtojnë kot në Tasmani

Dhjetëra turistë udhëtuan drejt një zone të largët në Tasmani për të vizituar burime termale që, në fakt, nuk ekzistonin.

Shkak u bë një artikull i publikuar nga një faqe australiane udhëtimesh, i cili ishte shkruar me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) dhe përmbante një atraksion turistik tërësisht të rremë në zonën e Weldborough.

Artikulli u publikua pa verifikim njerëzor dhe u përhap me shpejtësi në internet, duke nxitur interes të madh te udhëtarët.

Si pasojë, vizitorë të shumtë nisën të kontaktonin hotelet lokale, ndërsa disa prej tyre mbërritën fizikisht në zonë, në kërkim të burimeve termale të përmendura.

Banorët lokalë u shprehën të habitur, pasi një atraksion i tillë nuk kishte ekzistuar kurrë.

Rasti ka ngritur shqetësime serioze për përdorimin e pakontrolluar të inteligjencës artificiale në turizëm, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se, pa mekanizma verifikimi, situata të ngjashme mund të përsëriten gjithnjë e më shpesh.