“HOPE”: Baleti Kombëtar i Kosovës sjell shfaqjen kundër dhunës me bazë gjinore

“HOPE”: Baleti Kombëtar i Kosovës sjell shfaqjen kundër dhunës me bazë gjinore

Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, sjellin në Prishtinë shfaqjen “HOPE”, një performancë që bashkon artin me aktivizmin në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Me koreografi nga Sead Vuniqi, “HOPE” vjen si një vepër e ndërtuar për të folur përmes trupit: për të treguar historitë e heshtura, për të ftuar në reflektim dhe për të përcjellë mesazhe të qarta vetëdijesimi dhe shprese.

Baleti synon që përmes gjuhës delikate, por të fuqishme të lëvizjes, të ngrejë zërin kundër dhunës me bazë gjinore dhe të theksojë rolin që arti ka në formësimin e një shoqërie më të drejtë e më të ndjeshme.

Shfaqja do të mbahet më 8 dhjetor 2025, nga ora 19:00, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Si një nga aktivitetet qendrore kulturore të kauzës së barazisë “HOPE” mbështet përpjekjet institucionale dhe shoqërore për parandalimin e dhunës dhe promovimin e barazisë gjinore.

Ngjarja është e hapur për publikun dhe i fton qytetarët të jenë pjesë e një mbrëmjeje ku vallëzimi shndërrohet në një mesazh të drejtpërdrejtë shprese, empatie dhe solidariteti.