Hardh Fest rikthehet në Rahovec me tre ditë festimesh, rrush, raki dhe verë

Nga data 5 deri më 7 shtator në Rahovec do të mbahet edicioni i radhës i festivalit Hardh Fest, nën moton “Për kokërr t’qefit!”. Festivali do të sjellë mijëra vizitorë vendas dhe të huaj, duke ofruar tri ditë plot aktivitete kulturore, argëtuese dhe gastronomike me fokus te rrushi, rakia dhe vera.
Programi do të përfshijë prerjen e kalaveshit të rrushit, gara në vjeljen dhe shtrydhjen e rrushit, demonstrime të pjekjes së rakisë, si dhe lojëra tradicionale që promovojnë kulturën vendase. Gjithashtu do të prezantohen edhe mekanizmat bujqësorë që përdorin fermerët e zonës.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, theksoi se festivali ka ndikim të madh ekonomik e kulturor, duke gjeneruar mbi 6 milionë euro fitime në komunë, ndërkohë që buxheti investues vjetor i komunës është rreth 5 milionë euro. Për këtë edicion, komuna ka mbështetur festivalin me 70,000 euro.
Në natën përmbyllëse, më 7 shtator, do të performojë edhe artisti estonez Tommy Cash, i njohur për pjesëmarrjen e tij në Eurovision, ku këtë vit me këngën “Espresso Macchiato” arriti vendin e tretë.