Haradinaj prezanton programin qeverisës të AAK-së: “Dyfishim pagash, rritje ekonomike dhe siguri për çdo familje”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zyrtarisht hapi sonte fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Prishtinë, duke prezantuar programin qeverisës dhe vizionin për të ardhmen e vendit. Kryetari Ramush Haradinaj theksoi se prioriteti i AAK-së do të jetë dyfishimi i pagave dhe pensioneve, mbështetja e familjeve dhe siguria e qytetarëve.
“Shtylla e parë e programit tonë është rritja e pagave dhe pensioneve, mbështetja për sektorin privat dhe kthimi i investimeve në vend. Do t’i mbështesim bizneset e reja dhe fuqizimin e grave në punësim dhe biznes,” deklaroi Haradinaj, duke theksuar rëndësinë e politikave fiskale të favorshme dhe krijimin e mundësive për zhvillim ekonomik.
Sipas kryetarit të AAK-së, siguria është shtylla e tretë e programit, duke nënvizuar se institucionet e vendit – policia, ushtria dhe të gjitha organet e sigurisë – do të punojnë për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt. Haradinaj gjithashtu ripërsëriti angazhimin e AAK-së për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO si një aleat i besueshëm.
Në fund të fjalës, Haradinaj bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të votojnë për listën e AAK-së numër 129, duke theksuar se ky është momenti për të bërë zgjedhjen e duhur për familjet dhe të ardhmen e vendit.