GLPS: Qytetarët nuk kanë obligim financiar ndaj gjobave të “Prishtina Parking”

GLPS: Qytetarët nuk kanë obligim financiar ndaj gjobave të “Prishtina Parking”

Qendra për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka deklaruar se qytetarët e Prishtinës nuk kanë asnjë detyrim ligjor apo financiar për të paguar gjobat e shqiptuara për mospagesë të parkingut nga ndërmarrja publike “Prishtina Parking”.

Sipas vendimit të fundit të Gjykatës Supreme, “Prishtina Parking” ka ushtruar kompetenca që ligjërisht i takojnë vetëm organeve të rendit publik dhe autoriteteve të trafikut, duke bërë që praktika e mëparshme e bllokimit të veturave të konsiderohet pjesërisht e paligjshme.

Vendimi i Supremes dhe reagimi i GLPS-së

Vendimi erdhi pas një ankese të GLPS-së, e cila kishte argumentuar se “Prishtina Parking” po funksiononte jashtëligjshëm.
Megjithatë, pas vendimit, Komuna e Prishtinës ka rikthyer në funksion sistemin e gjobave përmes një marrëveshjeje të re me ndërmarrjen publike – veprim që GLPS e konsideron të kundërligjshëm.

Në një reagim zyrtar, GLPS thekson:

“Veprimet e Komunës së Prishtinës nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe bien në kundërshtim me rregulloren aktuale. Qytetarët janë të obliguar të paguajnë vetëm tarifën e parkimit, por jo gjobat mandatore të shqiptuara nga Drejtoria e Inspeksionit për mospagesë të parkingut.”

Sipas GLPS-së, përmes këtyre gjobave “Prishtina Parking” dhe Komuna po e zvarrisin një procedurë të kundërligjshme, duke e shoqëruar me kërcënime për përmbarim ndaj qytetarëve.

Qëndrimi i “Prishtina Parking”

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Prishtina Parking”, Amir Kozmaqi, ka deklaruar se pas vendimit të Gjykatës Supreme, është hartuar një marrëveshje e re me Komunën e Prishtinës për të siguruar përputhshmëri të plotë me ligjin.

“Marrëveshja përcakton që ‘Prishtina Parking’ të mbështesë Inspektoratin me logjistikë, mjete dhe personel teknik, pa ushtruar kompetenca vendimmarrëse. Gjobat për mospagesë shqiptohen ekskluzivisht nga Inspektorati Komunal, i cili ka kompetencë të plotë ligjore,” – tha Kozmaqi.

Ai shtoi se pas rikthimit të sistemit, brenda një muaji e gjysmë, pagesat orëshe janë rikthyer në rreth 85% të nivelit të mëparshëm.

Reagimi i Drejtorisë së Inspeksionit

Nga Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës kanë konfirmuar se veprimet e tyre janë në harmoni të plotë me vendimin e Gjykatës Supreme dhe me ligjet në fuqi.

Inspektori komunal Atdhe Berisha ka sqaruar se që nga 15 shtatori 2025, të gjitha gjobat vendosen nga Drejtoria e Inspeksionit dhe jo nga “Prishtina Parking”.

“Gjykata Supreme nuk e ka shfuqizuar tërësisht rregulloren, por vetëm disa nene. Tani kompetenca për shqiptimin e gjobave është ekskluzivisht e Inspektoratit Komunal. Gjoba është 30 euro, por nëse paguhet brenda 15 ditëve, shuma përgjysmohet në 15 euro,” – tha Berisha për Koha.net.

Sipas tij, mbi 90% e qytetarëve kanë paguar gjobat në mënyrë të rregullt, duke e mirëpritur sistemin e ri, i cili ka lehtësuar funksionimin në lagje për banorët rezidentë.

Nga bllokimi në gjobë

Me sistemin e ri, në rast të mospagesës së tarifës së parkingut, nuk aplikohet më masa e bllokimit apo “merimangës”, por vetëm shqiptimi i një gjobe prej 30 eurosh, të cilën shqipton Inspektorati Komunal.