Gjermania nuk kryeson më për kërkesat e azilit në BE!

Gjermania nuk kryeson më për kërkesat e azilit në BE!

Gjermania ka humbur pozicionin si destinacioni kryesor për kërkesat e azilit në Bashkimin Evropian, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Agjencia e BE-së për Azilin (EUAA).

Deri në fund të qershorit 2025, Franca (78 mijë) dhe Spanja (77 mijë) regjistruan më shumë aplikime për azil sesa Gjermania (70 mijë), e cila për shumë vite kishte mbajtur vendin e parë.

Në total, vendet e BE-së së bashku me Norvegjinë dhe Zvicrën morën 399 mijë aplikime për azil në gjysmën e parë të vitit 2025 – një rënie prej 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Të dhënat tregojnë një rënie të ndjeshme të aplikimeve nga qytetarët sirianë, me 25 mijë më pak se një vit më parë. Ky ndryshim lidhet me zhvillimet politike në Siri, pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad në dhjetor 2024.

Gjermania, Italia dhe Spanja shënuan rënie të kërkesave për azil me përkatësisht 43%, 25% dhe 13%, ndërsa Franca mbeti pothuajse në të njëjtat shifra, duke marrë kështu kryesimin. Këto katër vende përbënin gati 75% të aplikimeve të paraqitura në gjithë BE-në.

Ndërkohë, Venezuela është bërë vendi kryesor i origjinës së azilkërkuesve, me rreth 49 mijë kërkesa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 – pothuajse një të tretën më shumë se vitin e kaluar. Kjo shënon fundin e dominimit dhjetëvjeçar të qytetarëve sirianë si grupi më i madh i azilkërkuesve në Evropë.

Ekspertët e lidhin këtë rritje me politikat më të ashpra të imigracionit në Shtetet e Bashkuara, ku administrata e presidentit Donald Trump ka kufizuar ndjeshëm hyrjen e venezuelianëve dhe ka anuluar mbrojtjet e përkohshme për më shumë se 250 mijë qytetarë të tyre. Në anën tjetër, qytetarët e Venezuelës mund të udhëtojnë pa vizë në Evropë dhe të qëndrojnë deri në 90 ditë në zonën Shengen, duke paraqitur kërkesat për azil pas mbërritjes në BE.