Gazeta “Rilindja” rikthehet në version digjital të plotë

Gazeta ikonike “Rilindja”, një prej monumenteve më të rëndësishme të historisë kulturore dhe mediale të Kosovës, po rikthehet në formatin e saj të plotë digjital. Kjo nismë po realizohet falë bashkëpunimit ndërinstitucional mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Arkivit Shtetëror të Kosovës.
Biblioteka Kombëtare ka filluar procesin e plotësimit të koleksionit të digjitalizuar të “Rilindjes”, e cila për dekada ka qenë zëri më i fuqishëm i kulturës, politikës dhe jetës shoqërore shqiptare. Ky projekt synon ruajtjen, dokumentimin dhe ofrimin e qasjes së lirë në trashëgiminë mediale të vendit për studiuesit dhe publikun e gjerë.
Në fondin e Bibliotekës kanë munguar disa numra të gazetës nga periudha 1945–1963, të cilët ruhen në fondet e Arkivit Shtetëror. Sipas marrëveshjes dypalëshe të nënshkruar ndërmjet dy institucioneve, Arkivi është duke i digjitalizuar këta numra, duke mundësuar kështu krijimin e një koleksioni të plotë dhe të unifikuar të “Rilindjes”.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së kujtesës historike dhe kulturore të Kosovës, duke i kthyer brezave të sotëm dhe të ardhshëm një pjesë të çmuar të historisë sonë mediale.