Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale nis sot

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale nis sot

Sot zyrtarisht ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor, ora 06:59 të mëngjesit. Në këtë periudhë, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar do të kenë mundësi të paraqesin programet dhe ofertat e tyre para qytetarëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tashmë ka miratuar Planin e aktiviteteve për organizimin e procesit zgjedhor, ndërsa shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim është hedhur më 3 dhe 4 shtator. Nga 23 korriku deri më 29 gusht është zhvilluar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ndërsa votimi përmes postës do të bëhet nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.

Në këto zgjedhje pritet të votojnë mbi 2 milionë qytetarë brenda dhe jashtë vendit. Sipas të dhënave të KQZ-së, lista e votuesve përfshin 2,069,098 persona, prej të cilëve 2,025,105 gjenden në Kosovë, ndërsa 43,993 qytetarë kanë regjistruar të drejtën e votës përmes postës nga jashtë.

Megjithatë, përveç fillimit të fushatës, në qendër të vëmendjes është edhe pyetja: Sa janë përmbushur premtimet e komunave?
Instituti GAP, përmes raportit “Letërnjoftimi i Komunave 2025”, ka publikuar të dhëna të reja për gjendjen në 38 komunat e Kosovës. Raporti nxjerr në pah sfida të shumta:

  • Rënie të popullsisë dhe migrim drejt zonave urbane.
  • Numër të madh banesash të pashfrytëzuara.
  • Ndryshime në numrin e nxënësve dhe stafit arsimor.
  • Borxhe të pambledhura dhe shpenzime gjyqësore që janë dyfishuar brenda vitit.

Edhe pse buxhetet komunale janë rritur gradualisht, të hyrat vetanake mbeten të ulëta, duke krijuar presion financiar. Raporti gjithashtu thekson hendekun gjinor në pozita udhëheqëse dhe performancë ende të dobët në fusha kyçe, pavarësisht disa përmirësimeve në transparencë dhe punësim.

Komunat më të mëdha vazhdojnë të jenë qendrat kryesore të ndërmarrësisë dhe regjistrimit të bizneseve të reja, duke thelluar kështu pabarazinë zhvillimore me komunat më të vogla.

Raporti i GAP-it është pjesë e një serie të publikuar çdo vit që nga 2009-ta, duke ofruar një pasqyrë krahasuese të performancës komunale në fusha të ndryshme.