Facebook mbush 22 vjet: si një ide studentore ndryshoi mënyrën si komunikon bota

Më 4 shkurt të vitit 2004, në Universitetin e Harvardit, Mark Zuckerberg së bashku me katër shokët e tij të dhomës – Eduardo Saverin, Andrew McCollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes – hodhën themelet e asaj që sot njihet si Facebook. Ajo që nisi si një platformë e thjeshtë për lidhje shoqërore mes studentëve, shumë shpejt u shndërrua në një revolucion global të komunikimit.
Emri “Facebook” rrjedh nga librat orientues që u shpërndahen studentëve në disa universitete amerikane për t’i ndihmuar ata të njihen mes vete. Fillimisht i kufizuar vetëm për studentët e Harvardit, rrjeti u zgjerua më pas edhe në universitete të njohura si Boston, Princeton, Yale dhe Stanford.
Me kalimin e viteve, Facebook hapi dyert për kolegje të tjera, shkolla të mesme dhe më në fund për të gjithë personat mbi moshën 13 vjeç, kudo në botë. Në vitin 2012, kompania u vlerësua me 104 miliardë dollarë, duke u bërë një nga gjigandët më të mëdhenj teknologjikë në histori.
Edhe pse ka njohur rritje të vazhdueshme në përdorues dhe të ardhura, vitet e fundit Facebook është përballur me kritika dhe skandale lidhur me privatësinë dhe përdorimin e të dhënave personale, çështje për të cilat themeluesi Mark Zuckerberg është thirrur të japë llogari para autoriteteve amerikane.