Distria Krasniqi, numri 1 në botë: mbi të gjithë, meshkuj e femra

Distria Krasniqi, numri 1 në botë: mbi të gjithë, meshkuj e femra

Distria Krasniqi po jeton një nga periudhat më të arta të karrierës. Pas përfundimit të Grand Slamit të Parisit, renditja botërore e xhudos është përditësuar dhe emri i saj qëndron në majë – më e ranguara në botë, jo vetëm në konkurrencën e femrave, por mes të gjithë xhudistëve. Me 6510 pikë, Distria lë pas gjermanen Anna Monta Olek dhe kroaten Lara Cvjetko, duke konfirmuar dominimin absolut.

Triumfi i fundit në Paris ishte vendimtar. Të shtunën, Distria fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke arkëtuar plot 1000 pikë për ranglistën. Finalja ndaj spanjolles Ariane Toro Soler zgjati vetëm 27 sekonda – një demonstrim force dhe forme që rrallë shihet në nivelet më të larta të xhudos botërore.

Ky sukses e rikthen Distrinë në krye të renditjes së përgjithshme, vetëm pak javë pasi ishte e shtata. Në kategorinë e saj, ajo ka krijuar një diferencë të madhe nga rivalet, duke u shkëputur ndjeshëm nga emra të njohur si Mascha Ballhaus dhe Uta Abe. Nuk është hera e parë që Distria është numri një në botë, por forma aktuale e bën këtë moment edhe më të veçantë.

Sukseset në Paris kanë sjellë lëvizje edhe për xhudistët e tjerë kosovarë. Fationa Kasapi ka avancuar për 88 pozita, Erza Muminoviq për 60, ndërsa Akil Gjakova ka shënuar ngritje në kategorinë e tij. Megjithatë, vëmendja mbetet te Distria – kampionia që nuk po i ndahet podiumit dhe që tashmë ka nëntë medalje në Grand Slamin e Parisit, katër prej tyre të arta. Një seri fitoreje që po e shkruan historinë e xhudos kosovare.