Arbër Ismajli prezanton planin për mbrojtje dhe shpëtim në Gjilan

Arbër Ismajli prezanton planin për mbrojtje dhe shpëtim në Gjilan

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka prezantuar planin e tij për forcimin e mbrojtjes dhe shpëtimit në qytet dhe zonat përreth, duke u fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës, kapaciteteve dhe resurseve njerëzore të sektorit të emergjencave.

Sipas programit të LDK-së për Gjilanin, prioritet është rikonstruksioni i stacionit aktual të zjarrfikësve, ndërtimi i dy nënstacioneve të reja në periferi për të mbuluar zonat rurale, si dhe ngritja e Qendrës Operative Emergjente me qendrën 112, e cila do të koordinojë reagimin në rastet e emergjencave.

Plani përfshin gjithashtu pajisje dhe mekanizma shtesë për sektorin e zjarrfikjes dhe emergjencave, duke siguruar automjete moderne dhe pajisje të avancuara për të përballuar situata kritike. Në të njëjtën kohë, prioritet është edhe forcimi i resurseve njerëzore dhe teknike, me angazhimin e personelit sipas standardeve (1 zjarrfikës për 1,500 banorë) dhe ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme për njësi të specializuara.

Një tjetër pikë kyçe e planit është krijimi i një fondi komunal për menaxhimin e pasojave të fatkeqësive, duke përfshirë zjarret, vërshimet, tërmetet dhe emergjencat e tjera, që do të sigurojë reagim të shpejtë dhe rimëkëmbje efektive pas çdo situate të jashtëzakonshme.

Sipas Ismajlit qendra strategjisë për mbrojtje dhe shpëtim në Gjilan do të mbështetet mbi tre shtylla: parandalimin, reagimin e shpejtë dhe rimëkëmbjen efektive pas fatkeqësive natyrore apo emergjencave tjera.