Arbër Ismajli: “9 nëntori është referendumi i gjilanasve të ndershëm, që duan zhvillim, punë dhe ndryshim”

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka nisur dje zyrtarisht fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2025, që do të zhvillohet më 9 nëntor. Aktiviteti u mbajt në një atmosferë entuziaste dhe pati pjesëmarrjen e strukturave lokale të LDK-së, si dhe partnerit politik, kryetarit të PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, me të cilin LDK ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për qeverisje të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.
Në një postim të bërë nga vetë Ismajli, ai theksoi rëndësinë e unitetit dhe përkushtimit për ndryshim:
“Sonte, bashkë me partnerin tonë të koalicionit PDK-në dhe kryetarin Riad Rashiti, takuam strukturat tona në qytet. Atmosfera ishte fantastike, plot besim, entuziazëm dhe përkushtim për ditën e ndryshimit. Në çdo fytyrë të këtyre intelektualëve e patriotëve shihej dëshira për ndryshim, për zhvillim, për një qeverisje që i kthen dinjitetin qytetarëve.”
Ai theksoi se qytetarët e Gjilanit nuk meritojnë përçarje dhe mashtrime, por një qeverisje që sjell mundësi dhe zhvillim për të gjithë:
“Gjilani meriton punë, drejtësi, parime dhe mundësi për të gjithë dhe këtë do ta sjellim bashkë, me një vizion të përbashkët, me njerëz që e duan qytetin dhe që dinë ta udhëheqin me zemër e me shpirt për këtë qytet.”
Arbër Ismajli bëri thirrje që balotazhi i 9 nëntorit të jetë një votë për dinjitet, zhvillim dhe bashkim:
“Është referendumi i gjilanasve të ndershëm, që duan zhvillim, duan punë, duan ndryshim. Më 9 nëntor, Gjilani voton për dinjitet, për punë, për zhvillim, për bashkim.”
Ai ftoi qytetarët të votojnë numrin 113 për LDK-në dhe për kandidaturën e tij, duke e cilësuar këtë betejë si një mundësi vendimtare për shpresë dhe zhvillim në Gjilan.