“Shame and Money” triumfon në Sundance, Doruntina Basha flet ekskluzivisht në GegFM Radio

“Shame and Money” triumfon në Sundance, Doruntina Basha flet ekskluzivisht në GegFM Radio

Kur një film kosovar përmendet nga The Hollywood Reporter dhe Variety, e kur në fund largohet nga Sundance Film Festival me çmimin kryesor – nuk është më thjesht lajm kulture. Është moment historik.

Pikërisht për këtë rrugëtim, Doruntina Basha, bashkëskenariste e filmit “Shame and Money”, foli në një intervistë ekskluzive në emisionin “Me Syza t’Dillit”, me Uranik Eminin, në GegFM Radio.

Basha tregoi se skenari i filmit është ndërtuar përmes një procesi të gjatë dhe të thellë bashkëpunimi me regjisorin Visar Morina – një punë e përqendruar jo te pritshmëritë e botës, por te e vërteta e personazheve. “Gjatë shkrimit nuk kemi mendu se si do ta shohë publiku rrëfimin. Fokusimi ka qenë vetëm te përjetimet dhe ndershmëria e historisë,” theksoi ajo.

Dhe pikërisht kjo qasje e zhveshur, pa filtra e pa bukurime, duket se ka qenë çelësi i suksesit. Kritika ndërkombëtare e ka cilësuar filmin si një rrëfim të saktë, të guximshëm dhe emocionalisht të fortë – ndërsa interpretimi i aktores kryesore, Astrid, është veçuar si një nga pikat më të fuqishme të filmit.

Një pjesë e ekipit dhe e aktorëve ishin të pranishëm në premierën botërore në Sundance, ku filmi u shfaq për herë të parë para publikut. Reagimi? Sallë e mbushur, emocione të forta dhe një pritje jashtëzakonisht pozitive – një moment që, sipas Bashës, ka qenë i paharrueshëm, sidomos për aktorët që e panë filmin për herë të parë në ekran të madh.

Fitimi i çmimit në Sundance është shumë më tepër se sukses personal për ekipin e filmit. Është një hap i madh për filmin kosovar, një dëshmi se tregimet që vijnë nga ky vend jo vetëm që dëgjohen, por edhe vlerësohen në skenat më prestigjioze të botës.

Nga një ide në letër, te një skenë ku sytë e botës janë të drejtuar kah filmi – “Shame and Money” po e vendos Kosovën fuqishëm në hartën globale të kinemasë.

Bisedën e plotë me Doruntina Bashën në emisionin “Me Syza t’Dillit”, realizuar nga Uranik EminiGegFM Radio, mund ta dëgjoni në Spotify, përmes linkut të bashkëngjitur më poshtë.