Lajmet e rreme të gjeneruara me AI në Kosovë: Një udhëtim nga përmbytjet e trilluara, helikopterët dhe dronët imagjinarë deri te “Fantazma e Prishtinës

Lajmet e rreme të gjeneruara me AI në Kosovë: Një udhëtim nga përmbytjet e trilluara, helikopterët dhe dronët imagjinarë deri te “Fantazma e Prishtinës

Janari i vitit 2026 nisi me një seri ngjarjesh që, në pamje të parë, dukeshin reale dhe shqetësuese për qytetarët e Kosovës. Video për përmbytje të mëdha në Prishtinë qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale, pasuar nga raportime për zbulime ari, pajisje ushtarake moderne dhe figura misterioze që supozohej se shëtisnin rrugëve të kryeqytetit. Pamjet u shpërndanë dhe u komentuan gjerësisht, duke ngjallur frikë, shpresë dhe habi, derisa u bë e qartë se këto “ngjarje” nuk kishin ndodhur kurrë.

Ajo që i lidh këto raste është inteligjenca artificiale, një teknologji që, përmes imazheve, videove dhe narrativave vizualisht bindëse, arriti të imitojë realitetin dhe të mashtrojë audiencën. Lajmet e rreme nuk mbetën të kufizuara vetëm në rrjete sociale; në disa raste, ato u riprodhuan edhe nga portale informative, duke vënë në provë besueshmërinë e mediave dhe mekanizmat e verifikimit të fakteve.

Ekspertët e komunikimit paralajmërojnë se këto përmbajtje nuk janë thjesht trillime digjitale, por një sfidë reale për informimin publik, pasi shfrytëzojnë emocionet dhe mungesën e verifikimit të menjëhershëm për të ndërtuar narrativa bindëse, por të rreme. Në këtë kontekst, Janari i vitit 2026 shërben si një pasqyrë e qartë e mënyrës se si dezinformimi i gjeneruar me AI mund të përhapet dhe të ndikojë drejtpërdrejtperceptimin publik.

Ky artikull analitik ndjek në mënyrë kronologjike rastet më të spikaturalajmeve të rreme të gjeneruara me inteligjencë artificiale gjatë këtij muaji; nga përmbytjet e trilluara në Prishtinë, helikopterët dhe dronët imagjinarë, deri te “Fantazma e Prishtinës”.

Përmbytjet që nuk ndodhën në Prishtinë (6 janar 2026)

Gjithçka nisi me një video të postuar nga llogaria Edmonndk në TikTok, ku një gazetar virtual raportonte për përmbytjet e mëdha në kryeqytet. Pamjet tregonin rrugë të përmbytura dhe qytetarë të bllokuar brenda banesave të tyre. Mbishkrimi dramatik nxiti një reagim masiv: 6,493 pëlqime, 5,322 shpërndarje dhe 122 komente.

Komentet ishin një kombinim i panikut dhe habisë:

  • “Kjo osht shejë qe e shlu udhën e Zotit”
  • “SubhanAllah, Zoti ju ruajt Ya Rabbi Alemnin”
  • “Bëjnë rrugë, bëjnë pallate, po kanalizimet ku janë?”

Analiza tregoi se pamjet e manipuluara dhe narrativat dramatike e bënë audiencën të besonte lajmin. Në realitet, gjithçka ishte një krijim i AI-së, një iluzion i kompletuar që nuk kishte ndodhur kurrë.

@edmonndk

Ne Prishtine Situata e shkaktuar nga përmbytjet po përkeqësohet nga minuta në minutë. Reshjet e dendura të shiut janë intensifikuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke shkaktuar rritje alarmante të nivelit të ujit. Në disa zona të qytetit, niveli ka kaluar mbi 50 centimetra, duke përmbytur rrugë kryesore dhe lagje të tëra. Rrugët janë tërësisht të bllokuara, ndërsa dhjetëra automjete janë mbetur nën ujë. Qarkullimi është praktikisht i pamundur në pothuajse të gjithë qytetin. Si pasojë, shumë qytetarë kanë mbetur të izoluar dhe të bllokuar në banesat e tyre ose në mjetet personale, ndërsa autoritetet po përballen me një situatë gjithnjë e më të vështirë.

♬ original sound – edmonndk

Ari i fshehur që ndezi imagjinatën (7 janar 2026)

Vetëm një ditë më vonë, një tjetër video e llogarisë AlbertShabani5 filloi të qarkullonte në ekranet e përdoruesve të TikTok-ut. Një prezantuese virtuale raportonte për një qytetar që pretendonte se kishte gjetur 17 kilogramë ari në një fshat të Kosovës. Videoja shpërtheu në viralitet me 17,500 pëlqime, 11,100 shpërndarje dhe 800 komente.

Audienca reagoi midis besimit dhe skepticizmit:

  • “Tani do fillojmë me punu arat se do gjejmë flori”
  • “A është e vërtetë?”
  • “Bravo, shqipe, të paska ra lotaria!”

Ky incident tregoi fuqinë e AI-së për të nxitur emocione dhe shpresa materiale, duke krijuar një hapësirë ku qytetarët dhe institucionet humbin orientimin midis realitetit dhe trillimit.

@albertshabani555 #fyp #foryou #kosovatiktok #dukat #ari ♬ original sound – albertshabani5

Helikopterët modernë që nuk ekzistonin (16 janar 2026)

Më 16 janar, po e njëjta llogari publikoi një video ku një prezantuese virtuale jepte lajmin se Kosova do të pajisej me helikopterë modernë. Videoja përfshinte pamje reale të KFOR-it amerikan, por lajmi kryesor ishte krejtësisht i rremë.

Komentet shprehën entuziazëm dhe ndjenja patriotike:

“Të lumtë, po bëhet. Nuk ka shtet pa ushtri të fuqishme”
“Të lumtë Bablok (Albin Kurti)”

Kombinimi i pamjeve reale me një narrativë të trilluar rriti besueshmërinë e lajmit, duke nxitur mbështetje emocionale për institucionet dhe politikat.

@albertshabani555 #fyp #foryoupage #kosovatiktok #ushtriaekosoves🇽🇰 ♬ оригинальный звук – ALEC KOFF Label OFFICIAL – Alec Koff Label MUSIC

Droni “Skifteri K1”: Spektakli i teknologjisë së trilluar

Një video e publikuar fillimisht në llogarinë në Facebook të Ridvan Aliu dhe Future Minds, dhe më pas e shpërndarë nga shumë portale dhe llogari në rrjete sociale, paraqiti dronin kamikaz Skifteri K1, i supozuar si i prodhuar në Kosovë, me aftësi spektakolare: fluturim mbi 1,100 km, mbi 7 orë në ajër dhe ngarkesë eksplozivi deri në 42 kg.

Në fakt, pamjet ishin të manipuluara dhe bazoheshin në burime kineze, pa autorizim. Megjithatë, audienca shprehte dhe shpërndante mbështetje dhe entuziazëm:

“E kemi ditë që Albin baba ka arrit gjithçka”
“Kosova është e jona, duhet ta ndërtojmë dhe forcojmë”
“Sukses, Ridvan Aliu ka aftësi edhe më shumë për të bërë, të jesh numër 1 për dronet – veç suksese”

Ky rast ilustron sesi lajmet teknologjike me elemente spektakolare shfrytëzojnë mungesën e njohurive të publikut, duke u dhënë lajmeve të rreme një pamje të vërtetë në sytë e audiencës.

Shembja e banesave në Gjilan (25 janar 2026)

Më 25 janar, llogaria DrivetoThrive publikoi një video që pretendonte se lagja Kamnik e qytetit të Gjilanit po shembej. Reagimi i audiencës ishte i menjëhershëm: 2,730 pëlqime, 3,878 shpërndarje dhe 207 komente.

Komentet ilustruan shqetësim, panik dhe dyshim:

“Ishalla nuk është e vërtetë”
“Allahu i ruajt ata banorë aty”

Pamjet katastrofike, edhe pse të gjeneruara nga AI, treguan fuqinë e emocioneve të forta për të ndikuar perceptimin publik.

@drivetothrive2801 #gjilan #06 #viral #fyp ♬ original sound – DrivetoThrive

Fantazma e Prishtinës (11 janar 2026)

Një fenomen i veçantë tërhoqi vëmendjen: Fantazma e Prishtinës, një figurë misterioze e gjeneruar me AI, u përhap shpejt në rrjetet sociale dhe portale informative. Pamjet tregonin një figurë të gjatë, të veshur me pallto të zezë, me fytyrë të maskuar dhe thundra në vend të shputave.

Portalet dhe mediat sociale publikuan foto-lajme pa verifikim, duke shkaktuar reagime masive me tituj:

“Ky person tmerron natën rrugëve të kryeqytetit”
“Kush është Fantazma e Prishtinës?”

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) paralajmëroi se pamjet ishin të krijuara me AI dhe këshilloi mediat për kujdes në verifikimin e fakteve.

Lajmi u hoq nga portalet, por disa materiale u ruajtën nga platforma fakt-verifikuese si Hybrid.info, ku figurojnë raportimet e mediave: Sinjali, Revista Kosovarja, Revista Ora dhe Qendra Info.

Pas verifikimit të lajmit për Fantazmën e Prishtinës, figura u bë trend dhe u përdor në fushata marketingu nga biznese të ndryshme vendore e rajonale.

https://hibrid.info/fantazma-e-prishtines-dhe-raportimi-i-pakonfirmuar-rreth-saj/?fbclid=IwY2xjawPm4llleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFIUjdObVgwbTROT0UwTUhhc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHmmUDnuDdBWDuaIIInk9Iff29VTLa5LWfJ74-d3J_3Xw9hqzDv3wzgvIvMsH_aem_PG43ltQe4bgbSVO9I8c2iA
@kronikashqip 👻 Zbulohet kush është “Fantazma e Prishtinës”! Njohësit thonë se është krijuar me inteligjencë artificiale 🤖👻 #Fantazma #Prishtinë #Lajm #fyp #Kosovë ♬ Answer The Question – Josh Wynter

Mësime dhe reflektime

Nga rastet e paraqitura del një tablo e qartë:

  1. Shpejtësia e përhapjes: Rrjetet sociale shpërndajnë menjëherë përmbajtje vizuale të gjeneruara me AI.
  2. Ndikimi emocional: Frika, shqetësimi dhe shpresa materiale formësojnë perceptimin publik.
  3. Rrjeti i dezinformimit: Media online dhe përdoruesit shpesh bëhen katalizatorë të dezinformatave.
  4. Roli i institucioneve: KMShK dhe platformat e fakt-verifikimit tregojnë nevojën për mekanizma të qartë identifikimi.
  5. Kombinimi i realitetit dhe AI-së: Pamjet reale të manipuluara me AI rrisin besueshmërinë dhe e bëjnë të vështirë dallimin nga informacioni i saktë.

Përfundim

Janari i vitit 2026 tregoi qartë se Kosova është e ekspozuar ndaj lajmeve të rreme të prodhuara me AI. Nga përmbytjet e trilluar në Prishtinë, gjetja e arit, pretendimet për dronë dhe helikopterë, deri te Fantazma e Prishtinës, cikli është i qartë: krijimi me AI → shpërndarja në rrjete sociale → reagimet emocionale → përhapja në media të tjera.

Ky fenomen nënvizon nevojën për edukim mediatik, ndërgjegjësim publik dhe bashkëpunim mes mediave, institucioneve dhe ekspertëve, duke bërë verifikimin e fakteve më jetik se kurrë.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

Ky artikull është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Geg FM Radio dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Dukatit të Madh të Luksemburgut.