Përfundon numërimi i votave të diasporës, KQZ gati të shpallë rezultatin final

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në orën 02:00 të mëngjesit të së premtes, më 9 janar 2026, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve të fundit nga votimi me postë jashtë Kosovës.
Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, thotë se është mbyllur i gjithë procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.
Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja e udhëhequr nga Albin Kurti ka shënuar rezultatin më të mirë ndonjëherë në zgjedhje, duke marrë 51.11 për qind të votave, respektivisht 486.994 vota, që i sigurojnë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, është kandidati më i votuar në vend, duke marrë 404.023 vota.
Partia e dytë në zgjedhje është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave, që përkthehen në 22 mandate në Kuvendin prej 120 deputetësh.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, duke siguruar 15 vende në organin ligjvënës, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind të votave dhe do të përfaqësohet me gjashtë deputetë.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e afërt me Beogradin zyrtar, do të ketë nëntë nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb. Një deputet nga ky komunitet do t’i takojë Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit. Ndërkohë, dhjetë vendet e tjera të garantuara për komunitetet pakicë joserbe janë shpërndarë mes disa partive dhe koalicioneve.