“Flaka e Janarit” ndizet më 11 janar në Gjilan

“Flaka e Janarit” ndizet më 11 janar në Gjilan

Me 11 janar, në Gjilan, fillon manifestimi tradicional mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, i cili këtë vit rikthehet me një program të pasur kulturore, artistike, letrare dhe përkujtimore.

Ky festival, që shtrihet deri më 31 janar, kthehet në një qendër të kulturës shqiptare, duke mbledhur mijëra artistë dhe artdashës nga të gjitha trevat shqiptare.

Historia e festivalit nis në vitin 1991, si një nderim për martirët e kombit – Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka – duke shënuar 10-vjetorin e rënies së tyre heroike. Fillimisht, manifestimi u zhvillua në trepikëshin Bresalc–Perlepnice–Gjilan, duke pasqyruar jo vetëm potencialin kulturor, por edhe gjendjen e shqiptarëve të Kosovës në ato vite.

Themelues të saj ishin Shoqata e Pavarur Kulturore dhe Forumi i Rinisë i LDK-së në Gjilan, ndërsa në aktin themelues mori pjesë edhe shkrimtari i mirënjohur Beqir Musliu.

Emri “Flaka e Janarit” lidhet me muajin e janarit, ku historikisht kanë rënë shumë nga heronjtë dhe atdhetarët shqiptarë, si Skënderbeu, Isa Boletini, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Edhe në periudhën e okupimit nga policia serbe, manifestimi u mbajt ilegal për 8 vite rresht, duke u përballur me sfida të mëdha.

Madje, pas masakrës së Reqakut, organizatorët reduktuan programin për të nderuar martirët, duke treguar që “Flaka e Janarit” nuk ndalet kurrë.

Ky festival është i ndërtuar mbi katër shtylla kryesore:

  • Letrare,
  • Skenike,
  • Muzikore, dhe
  • Arteve figurative.

Personalitetet të cilëve iu dedikohet festivali përfshijnë Rexhep Malaj, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka, të cilët përjetuan një jetë të përkushtuar ndaj edukimit, atdhedashurisë dhe luftës për liri.

Siç thotë Rexhep Malaj: “Ditët po kalojnë si shigjeta, bashkë me to edhe jeta, kurse kujtimi mbetet e kurrë nuk tretet.”

“Flaka e Janarit” mbetet një nga manifestimet më të rëndësishme kulturore dhe përkujtimore në Kosovë, duke bashkuar trashëgiminë historike me aktivitetet artistike dhe duke ruajtur frymën e atdhedashurisë dhe kujtesës kombëtare.