KQZ lejon votimin me dokumente të skaduara në përfaqësitë diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që qytetarët e Republikës së Kosovës të lejohet të votojnë në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente identifikimi të skaduara për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së 105-të të KQZ-së, e zhvilluar të mërkurën me procedurë qarkulluese. Sipas këtij vendimi, më 27 dhjetor, të gjithë votuesit që janë regjistruar paraprakisht për votim fizik në përfaqësitë diplomatike mund të identifikohen me dokumente të skaduara të lëshuara nga Republika e Kosovës, përfshirë letërnjoftime, pasaporta ose leje vozitjeje.
Ky hap vjen pas rasteve të evidentuara gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025, kur disa votues të regjistruar paraqiteshin për votim me dokumente të skaduara.
Përveç lehtësimit të identifikimit të votuesve, KQZ ka marrë vendime të tjera për organizimin e zgjedhjeve, duke përfshirë miratimin e pagesës për një objekt privat që do të shfrytëzohet si Qendër Votimi në komunën e Mitrovicës së Jugut, si dhe autorizimin e stafit rezervë dhe mbështetës për transportin e materialeve zgjedhore.
Komisioni theksoi se këto vendime synojnë të garantojnë një proces votimi të qetë dhe të mbarëvajtshëm, duke lehtësuar pjesëmarrjen e qytetarëve jashtë vendit.