262 mijë franga për katër shifra: targa “ZH 11” shitet në ankand në Cyrih

Një kombinim i thjeshtë shifrash është shndërruar në objekt prestigji dhe gare të fortë financiare. Targa e makinës së Cyrihut “ZH 11” është shitur për 262,000 franga zvicerane në një ankand online, duke tërhequr vëmendje të madhe dhe interes të jashtëzakonshëm nga ofertuesit.
Edhe pse shifra mbetet nën rekordin prej 299,000 CHF të paguara në vitin 2024 për targën “ZH 24”, ajo e rendit “ZH 11” ndër targat më të shtrenjta të shitura ndonjëherë. Në total u regjistruan 141 oferta, por gara reale u ngushtua ndjeshëm, pasi mbi çmimin 160,000 CHF vetëm tre persona vazhduan ofertimin, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Zyrës së Trafikut Rrugor të Cyrihut.
Siç raporton swissinfo, “ZH 11” është numri më i ulët që është nxjerrë ndonjëherë në ankand në kantonin e Cyrihut, gjë që e ka rritur edhe më shumë vlerën simbolike të saj. Ndryshe nga Cyrihu, në kantonin e Solothurnit situata nuk ka qenë aq e qetë: ankandi për targën “SO 1” u bllokua për shkak të ofertave problematike, pasi një përdorues me pseudonimin “Inzest” kishte ofruar 1 milion CHF, dyfishin e ofertës maksimale të lejuar, përcjell albinfo.ch.
Në Cyrih, ndërkohë, gjithçka funksionoi pa pengesa. Kantoni nxjerr në ankand çdo javë targa me pesë shifra ose më pak, si dhe kombinime të veçanta me gjashtë shifra. Këto ankande kanë gjeneruar vitet e fundit të ardhura prej miliona frangash, para që derdhen drejtpërdrejt në arkën e kantonit të Cyrihut, duke e kthyer pasionin për targa në një burim të rëndësishëm financiar publik.