“Jam fans i Dua Lipës” – Kryediplomati gjerman tregon historinë që i prishi koncertin me vajzën

“Jam fans i Dua Lipës” – Kryediplomati gjerman tregon historinë që i prishi koncertin me vajzën

Në kthim nga një vizitë disa-ditore në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ministri i punëve të jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, ka ndarë një moment surprizues dhe krejt personal me ndjekësit e tij. Brenda avionit qeveritar, mes dosjeve diplomatike dhe ritmit të punës, ai ngriti telefonin dhe tregoi një tjetër anë të vetes: atë të fansit të Dua Lipës.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Wadephul shfaq playlistën e tij, ku duket qartë albumi “Radical Optimism” i këngëtares shqiptare me famë botërore. Një detaj i thjeshtë, por i mjaftueshëm për të krijuar buzëqeshje – sidomos kur ai rrëfeu edhe historinë që e lidh me koncertet e Dua Lipës.

“Kam pasur një biletë për të shkuar me vajzën time më të vogël në koncertin e Dua Lipës,” tha ministri me një buzëqeshje të ndrojtur. “Por pastaj u bëra ministër i jashtëm.” Me këtë batutë, Wadephul e pranoi se roli i ri i ka ndryshuar planet familjare, duke e lënë pa një mbrëmje që e kishte pritur bashkë me vajzën.

Megjithatë, siç tregoi edhe vetë, muzika e Dua Lipës e ndjek kudo – madje edhe në avionin qeveritar. Një gjest i vogël, një rrëfim i çiltër, por që krijoi afërsi dhe buzëqeshje tek publiku i Ballkanit dhe më gjerë.