Nis sonte Festivali i Këngës në RTK – tri netë plot muzikë, emocione dhe talente të reja

Prishtinë, 6 nëntor 2025 — Sonte në orën 21:00 nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, ngjarja më e madhe muzikore e televizionit publik, që do të zgjasë për tri net radhazi dhe do të sjellë në skenë artistë të afirmuar dhe talente të reja nga mbarë trojet shqiptare.
Në këtë edicion marrin pjesë 20 këngë garuese, nga artistë brenda dhe jashtë Kosovës, duke e bërë këtë festival një pikëtakim të brezave të ndryshëm të muzikës shqiptare.
Një prodhim i plotë i RTK-së
Drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, ka theksuar se ky edicion sjell një qasje të re organizuese, ku çdo element — nga skenografia, dizajni, grafika deri te prodhimi televiziv — është realizuar nga ekipet e RTK-së.
“Në tri netët festive në kryeqytet do të dëgjojmë zërat e të rinjve, që lindin nga tradita, por shkojnë drejt së ardhmes”, ka deklaruar Gërvalla.
Ai gjithashtu theksoi se Organizata Evropiane e Transmetuesve (EBU) e ndjek me vëmendje festivalin dhe e ka vlerësuar profesionalizmin e RTK-së në përgatitjet për pjesëmarrjen e ardhshme të Kosovës në Euro Song.
“E kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Euro Song’. Pavarësisht sfidave rajonale, EBU na përcjell me shumë vëmendje dhe janë të kënaqur me arritjet tona,” tha ai.
Platformë për artistët dhe trashëgiminë muzikore
Drejtori artistik Florent Boshnjaku e ka cilësuar festivalin si “një institucion muzikor të Kosovës” që po rritet çdo vit, duke krijuar një platformë për zhvillim artistik e teknik të artistëve.
Skenaristi Genc Salihu zbuloi se edicioni i sivjetëm do të fokusohet më shumë te muzika, duke zvogëluar elementet dramaturgjike, ndërsa për herë të parë do të ndahet Çmimi për Vepër Jetësore “Okarina e Artë”
Artistët garues në “Fest 3”
Lista e plotë e artistëve dhe këngëve pjesëmarrëse:
- Almir Kraba – “Nuk ka si ti”
- Arjeta Palushaj – “Andrra”
- Arsi Bako – “Rreze Zjarr”
- Art Lokaj – “Ty”
- Bledi Kaso – “S’do të doja dy jetë”
- Dea Berisha – “Afër”
- Egzon Pireci – “Kënga Jonë”
- Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”
- Florent Abrashi – “Unë dhe ti”
- Kiara Juba – “Nirvana”
- Klea Dina – “At”
- Laorjan Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”
- Nita Latifi & Algert Sala – “Pija”
- Santino de Bartolo – “Naze Naze”
- Semi Tafaj – “Vazhdoj”
- Teutë Halili – “Amin”
- Vlera Kastrati – “Nanë”
- Vjosa Shehu – “Alo”
- Xuxi – “Identitet”
- Zergjina Hasanaj – “Pres”
Festivali do të zhvillohet më 6, 7 dhe 8 nëntor në Prishtinë, me Rina Krasniqin dhe Dukagjin Podrimajn si moderatorë.
Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë spektaklin në RTK dhe të jetë pjesë e sallës përmes rezervimeve të hapura tashmë për biletat.