Balotazhi më 9 nëntor – KQZ përfshin 18-vjeçarët e rinj dhe largon të ndjerët nga lista votuese

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, që do të mbahet më 9 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur pastrimin e listës votuese.
Këtë herë, ndryshimet janë të kufizuara – në listë do të shtohen të rinjtë që mbushin 18 vjeç pas 12 tetorit, ndërsa do të largohen personat që kanë ndërruar jetë ose hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sqaroi se lëvizjet e qytetarëve nga një komunë në tjetrën nuk do të reflektohen në këtë përditësim. “Qytetarët do të votojnë vetëm në komunën ku kanë qenë të regjistruar në raundin e parë,” tha ai.
Sipas rezultateve paraprake, balotazhi pritet të zhvillohet në 18 komuna, ku në rundin e parë ishin regjistruar mbi 1.3 milion qytetarë me të drejtë vote.