Nazim Gagica prezanton kabinat e telemjekësisë: “Gjilani digjital, shëndeti afër qytetarit”

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjilanit, Nazim Gagica, gjatë ditës së sotme ka prezantuar një prej propozimeve kryesore të planit të tij qeverisës katërvjeçar: kabinat digjitale të telemjekësisë. Ky projekt, sipas tij, do të hapë një epokë të re në shëndetësinë lokale, duke e sjellë mjekun më afër qytetarit përmes teknologjisë dhe shërbimeve moderne.
Kabinat do të vendosen në pika strategjike të qytetit dhe fshatrave, të pajisura me aparatura si stetoskop digjital, tensiometër, oksimetër, otoskop dhe kamera me rezolucion të lartë. Ato do t’u mundësojnë qytetarëve matje shëndetësore, konsultime me mjekun përmes teleprezencës, marrjen e udhëzimeve dhe recetave elektronike, duke ofruar shërbime 24/7 me mjekë kujdestarë online. “Gjilani me telemjekësi – standard evropian, shëndeti afër qytetarit”, theksoi Gagica gjatë prezantimit.