5 Shtatori – Dita Botërore e Bamirësisë, në nder të Nënë Terezës

Sot, më 5 shtator, bota shënon Ditën Botërore të Bamirësisë, një datë e cila është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 për të nderuar jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës.
Kjo ditë përkujton datën e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës, më 5 shtator 1997, dhe është një kujtesë universale mbi rëndësinë e solidaritetit, dashurisë për të afërmin dhe ndihmës ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.
Nënë Tereza, e lindur në Shkup më 1910 me emrin Gonxhe Bojaxhiu, është një nga figurat më të shquara të shekullit XX. Përmes misionit të saj në Indi dhe në mbarë botën, ajo themeloi urdhrin “Misionaret e Bamirësisë”, duke u përkushtuar në shërbim të të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve. Për humanizmin dhe kontributin e jashtëzakonshëm, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 dhe u shpall shenjtore nga Kisha Katolike në vitin 2016.
Dita Botërore e Bamirësisë synon të frymëzojë individët, organizatat dhe shoqëritë në mbarë botën të ndihmojnë dhe të ndërmarrin veprime konkrete për t’u gjendur pranë më të varfërve dhe më të pambrojturve. Në Kosovë dhe në trojet shqiptare, kjo ditë merr një domethënie të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me figurën e Nënë Terezës – simbol i mëshirës, dashurisë dhe shpresës.