Zoe Saldana, aktorja më e paguar në botë, lë pas Scarlett Johansson

Zoe Saldana ka arritur një moment historik në kinematografi, duke u bërë aktorja me fitimet më të larta në botë, duke kaluar Scarlett Johansson.
Aktorja 47-vjeçare e ka arritur këtë rekord falë suksesit të filmit të tretë të sagës Avatar, “Avatar: Fire and Ash”, i cili i shtoi mbi 1.2 miliardë dollarë totalit të saj të arkëtimeve. Sipas të dhënave të platformës The Numbers, filmat ku ka luajtur Saldana kanë gjeneruar mbi 15.46 miliardë dollarë globalisht.
Ky sukses lidhet kryesisht me rolet e saj në trilogjinë Avatar, si dhe me Gamora-n në sagën e Marvelit Guardians of the Galaxy dhe Avengers. Saldana ka pasur suksese edhe me filmat Star Trek dhe të parëin Pirates of the Caribbean.
Vitin e kaluar, Johansson kishte kaluar në vendin e parë pas suksesit të “Jurassic World Rebirth”, që arkëtoi 869 milionë dollarë. Megjithatë, Saldana tani e ka kaluar atë, duke mbajtur kryesimin në renditjen globale.
Edhe pse “Avatar: Fire and Ash” pati një ecuri më të ngadaltë krahasuar me filmat e mëparshëm të sagës, ai ka qëndruar në vendin e parë të box office-it amerikan që nga dhjetori. Saldana dha gjithashtu zërin për filmin animuar të Pixar-it, Elio, i cili nuk pati suksesin e pritur.
Në vitin 2025, ajo fitoi Oscar për aktoren më të mirë në rol dytësor për interpretimin në mjuzikëllin kriminal të Netflix, Emilia Pérez. Aktualisht, aktorja punon në sezonin e ri të serialit aksion-dramë Lioness.
Regjisori i Avatar, James Cameron, ka bërë të ditur planet për dy filma të tjerë, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar. “Nëse filmat 4 dhe 5 nuk realizohen, do të mbaj një konferencë për shtyp për të shpjeguar planet tona,” tha ai së fundmi.
Sipas renditjes së The Numbers, pas Saldanas dhe Johanssonit renditen aktorët Samuel L. Jackson, Robert Downey Jr. dhe Chris Pratt, të gjithë të njohur për rolet e tyre në Marvel. Ndërkohë, aktorët me fitimet më të mëdha që nuk kanë luajtur në filmat e Marvelit janë Tom Cruise, Dwayne Johnson dhe Tom Hanks.
Mes aktoreve të tjera të njohura, Emma Watson renditet në vendin e 16-të, Karen Gillan në vendin e 23-të dhe Elizabeth Olsen në vendin e 25-të.